Pyetja:

Ka raste më vijnë pyetje fetare dhe kur nuk jam i sigurtë për përgjigjen u them: “Mendoj se përgjigjja është kjo!” A lejohet të përgjigjem në këtë mënyrë?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, paqja dhe nderimet e Tij janë mbi Pejgamberin, familjen dhe shokët e tij.

Muslimanit nuk i lejohet të japë fetva (përgjigje) pa dituri. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni.” (Isra, 36)

Në një ajet tjetër thotë: Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” (Araf, 33)

Duke u bazuar në këto ajete, nëse pyetesh për diçka dhe nuk je i sigurtë për saktësinë e përgjigjes, duhet të thuash: “Allahu e di më mirë”, ose: “Unë nuk kam dituri për këtë.”

Suksesi vjen prej Allahut, paqja dhe nderimet e Tij ia dërgojmë Muahmedit, familjes dhe shokëve të tij.

Komisioni i përhershëm i fetvave dhe studimeve akademike (Abdulaziz bin Abdullah bin Baz; Abdullah bin Ku’uud; Abdullah Gudejan; Abdurrazak Afifi)

Përktheu: Arjan Gazidede