Pyetja: Kam lexuar se duhet t’u kërkojmë jobesimtarëve që të thonë Shehadetin (dy dëshmitë e besimit) kur janë pranë vdekjes. A duhet bërë e njëjta gjë edhe me atë që ka kryer diçka që e nxjerr nga feja islame (si tallja me diçka që ka lidhje me Islamin, konsiderimi i haramit si hallall, besimi në bestytni etj.)? A duhet që edhe atyre t’u kërkohet të shqiptojnë Shehadetin kur janë pranë vdekjes? Nëse fjalët e tyre të fundit janë fjalët e Shehadetit, a do të falen?
Përgjigjja
Gjithë lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është robi dhe i dërguari i Tij.
Është e lejuar që të sëmurit në shtratin e vdekjes t’i kërkohet të thotë Shehadetin, qofshin ata muslimanë apo jobesimtarë, qofshin jo-muslimanë që nga fillimi apo murtedë (të dalë nga feja).
Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në Sharh Rijad-us-Salihin:
“Dijetarët kanë thënë: Nëse i sëmuri thotë La ilahe il-la Allah, atëherë personi që është me të duhet të heshtë dhe të mos thotë më asgjë. Nëse ai e rimerr vetëdijen dhe thotë diçka tjetër si ‘jepmë ujë’ apo diçka tjetër, atëherë ai që është me të duhet t’i kërkojë përsëri që të thotë Shehadetin. Por, nëse i sëmuri është një kafir(jobesimtar) apo murted(i dal nga Islami) Allahu na ruajtë nga kjo atëherë ndoshta duhet që t’i kërkojmë të thotë La ilahe il-la Allah. Nëse Allahu i jep sukses që ta thotë, atëherë kjo është gjë e mirë, e nëse nuk e thotë, atëherë mbetet kafir…”
Duhet të theksojmë se nëse një musliman kryen një vepër që e nxjerr nga Islami, nuk është e lejuar që të nxitohet shpallja e tij si jobesimtar, përderisa e vërteta nuk i është sqaruar, argumenti nuk i është bërë i qartë dhe dyshimi nuk i është larguar, sepse nëse Islami i dikujt është vërtetuar me siguri, ai nuk mund të shpallet jobesimtar përveçse me siguri.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb




