Ballina Besimi Pse muslimanët e duan dhe e respektojnë Isain (Jezusin) si profet të...

Pse muslimanët e duan dhe e respektojnë Isain (Jezusin) si profet të Zotit?

Muslimanët besojnë se profeti Isa dhe profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta) ishin profetë që u dërguan për t’i udhëzuar njerëzit në rrugën e Allahut dhe në rrugën e Xhenetit.

Ne besojmë se Isai (Jezusi) ishte një nga profetët më të mëdhenj të dërguar nga Allahu i Lartësuar. Besojmë se lindja e tij ishte në formë mrekullie. Allahu na lajmëroi në Kuran se Ai e krijoi Isain pa pasur baba, ashtu si Ai e krijoi Ademin pa pasur baba e nënë, kështu që Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.

Ne besojmë se Isai (Jezusi) nuk është zot, as bir i Zotit e as u kryqëzua, por, përkundrazi është i gjallë, të cilin Allahu e ngriti për ta sjellë në fund të kohës (para Kiametit) si gjykues të drejtë dhe do të rreshtohet me muslimanët, sepse muslimanët janë besimtarë në monoteizëm (veçimin e Allahut në adhurim), me të cilin erdhi Isai (Jezusi) dhe të gjithë profetët.

Allahu na ka treguar në Kuranin e madhërishëm se mesazhi i Isait (Jezusit) është shtrembëruar nga të krishterët dhe se ka njerëz të devijuar që i shtrembëruan dhe ndryshuan Ungjillin dhe shtuan tekste që Isai (Jezusi) nuk i tha. Vërtetësi për këtë janë versionet e shumta të Ungjillit dhe prania e shumë kundërthënieve në to.

Allahu na ka treguar se Isai (Jezusi) e adhuronte Zotin e tij dhe nuk i kërkoi askujt ta adhuronte atë, por, përkundrazi, e urdhëroi popullin e tij që të adhuronin Krijuesin e tyre, por shejtani i bëri të krishterët ta adhuronin Isain (Jezusin). Gjithashtu Allahu na ka treguar në Kuran se Ai nuk do të falë askënd që ka adhuruar dikë tjetër përveç Allahut dhe se Isai (Jezusi) në Ditën e Kiametit do të distancohet nga ata që e adhuruan dhe do t’u thotë: “Unë ju kam urdhëruar që të adhuroni Krijuesin dhe nuk ju kam kërkuar të më adhuroni mua.” Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

“O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot – qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tija është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë.” (Kuran, 4:171)

Allahu i Lartësuar thotë:

“Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i Lartësuar dhe i Lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.” (Kuran, 5:116)

Kushdo që dëshiron të shpëtojë në botën tjetër, duhet të hyjë në Islam dhe ta ndjekë profetin Muhamed ﷺ.

Ndër faktet për të cilat janë pajtuar profetët dhe të dërguarit (paqja qoftë mbi ta) është se vetëm muslimanët që besojnë në Allahun e Lartësuar dhe që e adhurojnë vetëm Atë, si dhe besojnë në të gjithë profetët dhe të dërguarit, do të shpëtojnë në botën tjetër. Ata që kanë qenë në kohën e profetit Musa e kanë besuar në të dhe kanë ndjekur mësimet e tij, janë muslimanë dhe besimtarë të mirë, por, pasi Allahu e dërgoi Isain, pasuesit e Musait duhet të besonin në Isain dhe ta ndiqnin atë. Kushdo që besonte Isain, ishte musliman i mirë, e kushdo që refuzonte të besonte në Isain dhe thoshte se do të mbetej në fenë e Musait, atëherë ai ishte jobesimtar, për faktin se refuzoi të besonte në një profet të dërguar nga Allahu. Më pas, pasi Allahu e dërgoi të Dërguarin e fundit, Muhamedin, të gjithë e kanë obligim të besojnë në të. Allahu është Ai që e dërgoi Musain e Isain dhe është Ai që e dërgoi të dërguarin e fundit, Muhamedin. Pra, kushdo që nuk beson në mesazhin e Muhamedit ﷺ dhe thotë: “Unë do të vazhdoj ta ndjek Musain ose Isain”, – nuk është besimtar.

Nuk mjafton që njeriu të thotë se i respekton muslimanët, as mjafton për të shpëtuar në botën tjetër, që të japë lëmoshë dhe të ndihmojë të varfrit, por medoemos duhet të besojë në Allahun, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij dhe në Ditën e Fundit, që Allahu ta pranojë këtë prej tij. Nuk ka mëkat më të madh se idhujtaria dhe mosbesimi në Allahun, refuzimi i shpalljes që ka zbritur Ai ose refuzimi i profecisë së të Dërguarit të Tij të fundit, Muhamedit ﷺ. Hebrenjtë dhe të krishterët që dëgjuan për mesazhin e Muhamedit, të Dërguarit të Allahut ﷺ, dhe refuzuan të besojnë në të dhe refuzuan të hyjnë në fenë islame, do të jenë në zjarrin e Xhehenemit përgjithmonë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija.” (Kuran, 6:98)

Qëkurse është shpallur mesazhi i fundit nga Allahu për njerëzimin, çdo qenie njerëzore që dëgjon për Islamin dhe dëgjon për mesazhin e Profetit të fundit, Muhamedit ﷺ, e ka obligim ta besojë, ta ndjekë ligjin e tij dhe t’i bindet atij në urdhrat dhe ndalesat e tij. Andaj, kushdo që dëgjon për këtë mesazh të fundit dhe e refuzon, Allahu nuk do t’ia pranojë atij asnjë vepër dhe do ta dënojë në botën tjetër. Prej argumenteve që e tregojnë këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Kuran, 3:85)

Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do të mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Kuran, 3:64)