Pyetja:

A duhet ta bëjmë haxhin posa të bëhen kushtet e të na jepet mundësia apo bën që të shtyhet deri në pleqëri?

***

Përgjigjja:

Sipas shumicës së ulemave, haxhi duhet kryer posa të obligohet, respektivisht posa t’i plotësosh kushtet dhe shtyrja e tij për më vonë është mëkat. Por nëse arrin ta kryejë sa të jetë gjallë, mëkati i tij pezullohet inshaAllah. Allahu i Madhëruar ka thënë:

Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo.” (Ali Imran: 97)

Dhe gjithashtu Allahu xh.sh. ka thënë:

E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut.” (Bekare: 196)

Siç është e njohur në shkencën e Usuli Fikhut, kur vjen fjalia urdhërore, jep të kuptohet se ai urdhër duhet të kryhet menjëherë, pa u vonuar fare. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush do që ta bëjë haxhin, le të ngutet, sepse mund të ndodhë që njeriu të sëmuret, t’i humbë shtaza transportuese apo t’i ndodhë ndonjë gjë.” [1]

Për këtë mesele ka edhe argumente të tjera, të cilat i kanë cekur dijetarët. Nga kjo kuptohet se haxhin muslimani duhet ta kryejë sa më parë që është e mundur, pavarësisht a është i ri apo i vjetër, posa t’i jepet mundësia le ta kryejë, sepse njeriu nuk e di çka e gjen nesër.

Ashtu siç kuptohet se nëse një njeri ka pasur mundësi për të bërë haxhin, por nuk e ka bërë, e më vonë kur ka dashur të shkojë nuk ka mundur sepse është bërë i varfër, apo i ka çuar Allahu sëmundje ose telashe të tjera, në këtë rast obligueshmëria e haxhit nuk bie nga ai person, çka do të thotë se atij i mbetet borxh përgjithmonë, me përjashtim të rastit kur ia kryen dikush në vend të tij.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————

[1] Ahmedi, nr. 2973 (2974); Ebu Davudi, nr. 1732; Ibën Maxhe, nr. 2883. Albani e konsideron hadithin hasen.