Pyetja:

Kam dëgjuar nga disa hoxhallarë se kur njeriu vdes dhe e fusin në dhe, atij i vjen shpirti dhe i godet dërrasat me kokë…

***

Përgjigjja:

El-Berau bin Azibi transmeton hadithin e gjatë në lidhje me atë që i ndodh shpirtit pas vdekjes së njeriut, ku në mes të tjerash Pejgamberi ﷺ ka thënë: “…pastaj i kthehet shpirti në trupin e tij (pasi të futet në varr) dhe i vijnë atij dy melekë, Munkeri dhe Nekiri, të cilët e ulin njeriun dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt?” Thotë: “Zoti im është Allahu.” E pyesin: “Cila është feja jote?” Thotë: “Feja ime është Islami.” E pyesin: “Kush është ai njeri që është dërguar tek ju?” Thotë: “Është i Dërguari i Allahut ﷺ.”
E pyesin: “Cila është dituria jote?” Thotë: “E kam lexuar librin e Allahut, kam besuar në të dhe e kam vërtetuar (me vepra).” Atëherë Zoti flet: “Shtrojeni varrin e robit Tim me shtrojë prej xheneti dhe hapini atij një dritare nga xheneti…” [1]

Kurse për sa i përket goditjes së dërrasës me kokë, nuk ekziston ndonjë argument që e vërteton këtë fakt, prandaj është besim i kotë dhe bindje e gabuar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————

[1] Ahmedi, nr. 18534; Ebu Davudi, nr. 4753; Hakimi 1/37