Pyetja:

Në një rast, unë zgjata dorën për të marrë diçka në një tavolinë që gjendej përpara dikujt që po falte namaz. A ia kam prishur namazin?

***

Përgjigjja:

Lavdi Allahut. Ajo çfarë është e ndalur është të ecësh përpara dikujt që është duke falur namaz, siç na njoftoi Pejgamberi ﷺ: “Nëse ndokush prej jush fal namaz në drejtim të një objekti që qëndron mes tij dhe njerëzve dhe dikush synon të kalojë përpara tij, le ta shtyjë me dorë; nëse ai ngulmon të kalojë, le ta kundërshtojë, se i tilli është një shejtan.” [1] Veprimi yt (i zgjatjes së dorës) nuk konsiderohet si kalim përpara dikujt që është duke falur namaz. Kjo s’është asgjë më shumë sesa vendosje e një pjese të trupit përpara atij që është duke falur namaz. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i zgjaste këmbët përpara
të Dërguarit të Allahut ﷺ ndërsa ai falte namaz dhe ajo flinte, dhe kjo nuk konsiderohej ta prishte namazin e tij. Është përcjellë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ se tha: “Po flija gjumë përpara të Dërguarit të Allahut ﷺ ndërsa këmbët e mia ishin të shtrira përpara tij, kur ai ishte i kthyer nga kibla. Kur ai bënte sexhde, më shtynte paksa dhe unë i tërhiqja këmbët; kur ai ngrihej në këmbë, unë i shtrija këmbët prapë. Asokohe nuk kishim llamba në shtëpitë tona.” [2]
Shejh Ibn Uthejmini tha duke e komentuar këtë hadith: “Pra, ka dallim mes kalimit përpara dikujt dhe të ndenjurit shtrirë përpara dikujt. Nëse një grua rri shtrirë përpara dikujt që është duke falur namaz, kjo nuk prish namazin.” [3]
Shejh Abdul-Aziz Ibn Baz u pyet: “Nganjëherë, ndërsa unë fal namaz nafile, ndodh që ndonjë person në të djathtën time t’ia zgjasë dorën tjetrit që gjendet në të majtën time. A e prish kjo namazin?” Ai u përgjigj: “Kjo s’prish punë, përderisa dikush të mos kalojë (i tëri) përpara. Pra, nëse njëri i zgjatë dorën tjetrit dhe tjetri po ashtu zgjat dorën (përpara dikujt që është duke falur namaz), nuk prish punë.” [4]

islamqa.info

——————————

[1] Buhariu 509, Muslimi 505

[2] Buhariu 382, Muslimi 512

[3] Sherh el-Mumti 3/205

[4] Fetawaa Nur ala ed-Derb 9/348