Pyetja:

A prishet agjërimi nëse njeriu vjell gjysmë ore para iftarit?

***

Përgjigjja:

Nëse agjëruesi vjell me qëllim duke e ngacmuar veten me gisht, duke shikuar ndonjë ndyrësirë që të bën të vjellësh, duke nuhatur ndonjë erë të keqe etj., të gjitha këto me qëllim, e prish agjërimin qoftë edhe vetëm 10 minuta para iftarit.

Ndërkaq nëse i ndodh agjëruesit të vjell pa dëshirën e tij (duke mos e ngacmuar vjelljen vet), atëherë nuk e prish agjërimin qoftë kjo edhe fill pas agimit të mëngjesit. I Dërguari, ﷺ, ka thënë: “Atë që e përshkon vjellja, nuk obligohet ta kompensojë agjërimin, e kush vjell qëllimisht, le ta kompensojë!” [1]

Vërejtje: Lidhur me këtë çështje duhet theksuar dy gjëra.

E para: Ka raste kur njeriu mund të lirohet nga ndonjë sëmundje si dhimbje barku etj. me vjellje. Atij në atë rast i lejohet ta bëjë këtë, por obligohet po ashtu ta kompensojë atë ditë. Ndërkaq nëse e bën vjelljen me qëllim, pa arsye të justifikueshme, atëherë përveç që obligohet ta kompensojë atë ditë të agjërimit, ai edhe mëkaton.

E dyta: ka dijetarë që për vjelljen e paqëllimshme bëjnë dallim nëse ajo bëhet me plot gojën apo pak dhe thonë se vjellja me plot gojën megjithatë e prish agjërimin edhe atëherë kur bëhet pa vet-ngacmim. Por ky mendim nuk është gjithaq i argumentuar.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

———————————————————–

[1] Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu etj.