Pyetja:
E di që nuk lejohet festimi i ditëlindjes mirëpo më intereson urimet a hyjnë edhe ato në ndalesë apo jo dhe a lejohet t’ua kthejmë urimet që marrim për ditëlindje?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut të madhëruar. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.
Festimi i ditëlindjes, ashtu siç e keni përmendur, është një vepër e ndaluar, ngase është një kulturë e huaj e importuar te disa muslimanë. I Dërguari i Allahut, ﷺ, na ka tërhequr vërejtjen që të mos u përngjajmë mosbesimtarëve, na ka thënë: “kush i përngjet një populli ai është prej tyre” dhe na ka thënë: “kush shpik në çështjet e fesë tonë, vepra e tij refuzohet.” Kur të kuptojmë këtë, pra se festimi i ditëlindjes është kulturë joislame dhe ne duhet të largohemi prej ngjyrimeve të tilla, atëherë themi që edhe gjërat tjera që çojnë te këto ndalesa, ndalohen. Në rastin tonë, uratat që shprehen për këtë festë të ndaluar e marrin të njëjtën dispozitë juridike sikur edhe festimi. Një nga themelet e legjislaturës islame është: “mjetet (proceset) marrin statusin e përfundimeve”.
Redaksia e Albislam.com