Pyetja:
Një motër muslimane ka kontaktuar me një vëlla musliman në rrjetet sociale me pretendimin e një lidhjeje serioze. Pas gjithë atyre kontakteve këta dy të rinjë vendosin të takohen, por pa dijeninë e përgjegjësit të vajzës. Pas takimit i cili ka qenë publik, vajza dhe djali janë pëlqyer, por tani të dy kanë frikë të fejohen apo martohen duke menduar se kanë gabuar. Si të veprojnë tani?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e vetëve tona e nga të këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe atë që Ai e humb nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguar i Tij.
Lidhjet nëpërmjet rrjeteve sociale nuk lejohen. Muslimani duhet të largohet nga fitnet dhe rrugët që të çojnë në të dhe s’ka dyshim se fitnja më e madhe janë femrat, siç ka thënë Profeti ﷺ në hadithin e saktë: “Nuk kam lënë fitne më të madhe për burrat sesa fitnja e femrave.”
Por, tani mbasi jeni takuar dhe keni rënë dakord ju dhe familjet tuaja për martesë, atëherë themi që martesa le të bëhet dhe t’i kërkoni falje Allahut për ato që kanë kaluar, sepse pendimi i fal të kaluarat. Dhe me Lejen e Allahut ajo që ka ndodhur në të kaluarën nuk ndikon në martesën tuaj dhe në të ardhmen tuaj dhe kjo, padyshim, është nga mirësitë e Allahut, sepse robi nëse do të llogaritej për ato që kanë kaluar do të shkatërrohej.
Lus Allahun që t’ju dhurojë mirësi dhe begati!
Allahu e di më së miri.
Hariz Allkoçi