Pyetja:

Njeriu bën dua (lutje) dhe nuk ka përgjigje? Allahu ka thënë: “Më lutni Mua e Unë ju përgjigjem.” Si mundet kjo?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi Muhammedin ﷺ.

Allahu thotë: “Tha Zoti juaj: Më lutni Mua e Unë ju përgjigjem, e ata që bëhen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehennem duke qenë të nënçmuar.” (Gafir: 60)

Pyetësi thotë se e lut Allahun dhe nuk i përgjigjet për lutjen, dhe kjo gjë i krijon problematikë me ajetin e sipërcituar, ku Allahu premton se ai që i lutet, Ai i përgjigjet asaj lutjeje, dhe dihet se Allahu nuk e thyen premtimin.
Për pranimin e duave ka disa kushte, të cilat duhet patjetër të plotësohen, e ato janë:

Kushti i parë: Sinqeriteti me Allahun, ashtu që të jetë i sinqertë gjatë lutjes së tij dhe të kthehet nga Ai, me zemër të plotë, i bindur në kthimin nga Allahu, me diturinë se Allahu mundet t’i përgjigjet lutjes dhe duke shpresuar në pranimin e lutjes së tij.

Kushti i dytë: Duhet të ndiejë gjatë lutjes së tij se është më se i nevojshëm për Allahun, subhanehu ue teala, si dhe ta dijë se Allahu është i Vetmi që i përgjigjet lutjes së të nevojshmit kur ai e lut, dhe e largon të keqen nga robi i Vet. E nëse e lut Allahun duke u ndjerë se nuk është aq i nevojshëm për Allahun, por vetëm bën dua kështu tradicionalisht, ky nuk është duke kërkuar përgjigje në realitet.

Kushti i tretë: Të jetë larg të ushqyerit me haram, sepse të ushqyerit me haram është pengesë mes njeriut dhe përgjigjes së lutjes së tij.
Kjo shihet në hadithin e vërtetë nga Pejgamberi ﷺ ku thotë: “Allahu është i Mirë dhe nuk pranon përveç të mirës dhe Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar pejgamberët”, e Allahu ka thënë: “O ju besimtarë, hani prej të mirave që ju kemi fumizuar dhe falënderoni Allahun, nëse Atë jeni duke e besuar.” (Bekare: 172)
Po ashtu ka thënë: “O ju të dërguar hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira.” (Mu’minun: 51)
Si dhe ka përmendur Pejgamberi ﷺ rastin e udhëtarit flokë pakrehur e të pluhurosur, i cili ngriti duart lart dhe tha: O Zot! O Zot!, ndërsa ushqimi i tij është prej haramit, veshja e tij prej haramit dhe është furnizuar me haram. Pejgamberi ﷺ tha: E si t’i përgjigjet Allahu këtij?
Pra, Pejgamberi ﷺ e konsideroi si të pamundshme që Allahu t’i përgjigjet këtij njeriu, i cili i bëri shkaqet e dukshme për pranimin e lutjeve, ato janë:

Së pari: Ngritja e duarve drejt qiellit d.m.th., drejt Allahut sepse Ai është në qiell, mbi Arsh. E zgjatja e duarve drejt Allahut është prej shkaqeve të pranimit të duave, siç na tregon hadithi: “Allahu është i Turpshëm dhe Bujar, turpërohet kur robi i Tij i ngre duart për ta lutur Atë, e t’ia kthejë duart të zbrazëta.” [1]

Së dyti: Ky njeri e ka lutur Allahun me emrin Zot (Rabb), “O Zot, o Zot!”
Ndërmjetësimi tek Allahu me këtë emër është prej shkaqeve të pranimit të duave. Sepse Zoti është Krijues, Zotërues i të gjitha çështjeve, në dorë të Tij janë punët e qiejve dhe Tokës.
Mund të vëresh në Kuran se duatë më të shumta që janë, janë me këtë emër: “O Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës qëf tonte në besim duke thënë: të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i mbulo të metat tona dhe pas vdekjes na bashko me të mirët! Zoti ynë, na jep atë që nëpërmjet të dërguarve të Tu na e premtove dhe në Ditën e Kiametit mos na turpëro, vërtetë Ti je Ai që nuk e shkel premtimin! Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre e tha: Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër,ju jeni prej njëri tjetrit.”
(Ali Imran: 193195)
Ndërmjetësimi (tevessuli) pra, tek Allahu me këtë emër është prej shkaqeve të pranimit te lutjeve.

Së treti: Ky njeri ishte udhëtar, e udhëtimi në të shumtën e rasteve është prej shkaqeve të pranimit të duave. Ngase njeriu në udhëtim e ndi- en nevojën për Allahun më tepër sesa kur është në vend të vet.
Po ashtu edhe cilësimi i tij si i parregulluar e i pluhurosur tregon se e ka lënë anash kujdesjen për dukjen e tij dhe gjëja më me rëndësi për të është bërë duaja ndaj Allahut, në çfarëdo gjendje të jetë, i parregulluar, i pluhurosur apo në gjendje të mirë. E këto dy të parat kanë ndikim në pranimin e duave, siç shihet kjo nga hadithi i Pejgamberi ﷺ kur tregon se Allahu në mbrëmjen e ditës së Arafatit zbret në qiellin e Dunjasë dhe u lëvdohet melekëve me njerëzit që janë në Arafat, duke iu thënë: “Më kanë ardhur nga çdo luginë, të pluhurosur, jo të kujdesshëm për veten e tyre dhe rrinë në Diell.” [2]
Të gjitha këto shkaqe për pranimin e duave nuk i kanë bërë fare dobi, sepse ushqimi e veshja e tij ka qenë prej haramit dhe është furnizuar me haram.
Prandaj Pejgamberi ﷺ, tha: “E si t’i përgjigjet Allahu këtij njeriu.”
Këto janë pra, kushtet e pranimit të duave, nëse këto nuk plotësohen përgjigjja e duasë është larg, e nëse plotësohen këto dhe nuk has në përgjigje prej Allahut kjo me siguri është prej urtësisë së Allahut që e di vetëm Ai, “ndoshta ju dëshironi diçka, por ajo është e keqe për ju.”
Ose ndoshta Allahu me këtë dëshiron t’ia largojë ndonjë të keqe edhe më të madhe që ai nuk e di, ose don Allahu që për shkak të kësaj t’ia shumëfishojë shpërblimin Ditën e Kiametit.

Ashtu që nëse nuk i pranohet duaja pas plotësimit të kushteve dhe nuk i largohet ndonjë e keqe që është edhe më e madhe, ky njeri i ka bërë shkaqet dhe nuk i është pranuar duaja, e me këtë Allahu ia shumëfishon shpërblimin Ditën e Kiametit me diçka më të madhe dhe më të plotë.
Me rëndësi po ashtu është që mos të bëhet njeriu i padurueshëm në pranimin e duasë, sepse kjo është prej shkaqeve të mospranimit të duave, siç shihet në hadithin ku thotë Pejgamberi ﷺ: ”Secilit nga ju i pranohet duaja nëse nuk ngutet”,- i thanë: -O i Dërguar, e si ngutet?!- Tha: ”Atëherë kur thotë: U luta, u luta, u luta dhe nuk mu pranua duaja.”
Pra, nuk i ka hije njeriut që të bëhet i padurueshëm në pranimin e duave, ashtu që pastaj të mërzitet dhe të largohet nga duaja. Por duhet që vazhdimisht të bëjë dua, sepse çdo dua me të cilën i lutesh Allahut është adhurim me të cilin afrohesh tek Allahu dhe t’i shton shpërblimet.
E ti vëlla, bën sa më tepër lutje për të gjitha çështjet, të përgjithshme apo të veçanta për ty, të mëdhaja apo të vogla.
Sikur mos të kishte nga duaja dobi tjetër përveç asaj se është adhurim, do të mjaftonte kjo si shkak për të mos u larguar nga duaja. Allahu na ndihmoftë.

Shejh Ibn Uthejmin, “Kushtet e fesë”

——————————

[1] Ahmedi

[2] Muslimi