Pyetja:

Cila është vlera e sinqeritetit?

***

Përgjigjja:

Vlera e sinqeritetit është përmendur në hadithe dhe në ajete:

Ajetet janë:

Allahu thotë: ”Thuaj: Unë jam i urdhëruar ta adhuroj Allahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij. Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve.” (Zumer: 1112)

E megjithatë, ata qenë urdhëruar që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër të Ibrahimit, si dhe të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine: 5)

Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fortë tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, të tillët do të jenë me besimtarët e vërtetë. Dhe Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” (Nisa: 146)

Njëmend, Ne ty (o Muhamed) ta kemi zbritur librin me të vërtetën. Andaj, adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër (të sinqertë) për Të.” (Zumer: 2)

Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai me të vërtetë ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf: 24)

Përmend atyre në Libër (tregimin për) Musain! Ai ishte i sinqertë dhe ishte i dërguar i Allahut. (Merjem: 51)

E shembulli i atyre që pasurinë e tyre e japin nga bindja e tyre dhe duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjanë një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë që i mjafton. Allahu sheh atë që veproni. (Bekare: 265)

Ata që për hir të Allahut u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Dhe thonë: Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë as shpërblim as falënderim. Sepse, Ne me të vërtetë i frikësohemi dënimit të Allahut në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe ajo ditë është shumë e vështirë. Po Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe atyre u dhuroi shkëlqim në fytyrat e tyre dhe gëzim të madh.” (Insan: 811)

Dhe thuaj: Allahu më urdhëroi mua drejtësinë dhe në tërësi kthejuni Allahut në çdo namaz (lutje) dhe adhurone Allahun duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për Të. (A’raf: 29)

Hadithet:

Transmetohet nga Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin, ﷺ duke thënë: “Veprat vlerësohen vetëm sipas qëllimeve (nijeteve). Secili prej jush do të shpërblehet sipas asaj që ka pasur për qëllim. Kush shpërngulet për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë shpërngulja e tij do të jetë (ashtu siç ka bërë dhe realizuar qëllimin) për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, kush shpërngulet (bën hixhret) me qëllim që të arrijë të mira në këtë botë  ose për shkak të ndonjë gruaje me të cilën do të martohej, shpërngulja e tij do të jetë për atë (për shkakun e shpërnguljes që ka bërë).” [1]

Transmetohet nga Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- i cili thotë: I Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë se Allahu nuk shikon në trupat dhe as në fizionomitë tuaja, porse Ai (Allahu) shikon atë që mbani në zemrat e juaja.” [2]

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë Allahu nuk shikon të jashtmen tuaj as pasurinë tuaj, porse Allahu shikon zemrat dhe veprat e juaja.” [3]

Transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi, ﷺ ka thënë: “Sikur ndonjëri prej jush të punonte për brenda në ndonjë shkëmb në të cilin nuk ka derë e as vrimë, puna e tij nuk ka dyshim se do të dalë në shesh herët apo vonë (para njerëzve).” [4]

Transmetohet nga Ebu Musa el Eshariu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi ﷺ është pyetur në lidhje me njeriun i cili lufton për t’u treguar trim, lufton për të t’u treguar kryelartë, lufton për syefaqësi. Cili prej tyre llogaritet dhe është në rrugë të Allahut? Pejgamberi ﷺ tha: “Në rrugë të Allahut llogaritet, ai i cili lufton që fjala e Allahut të jetë më e larta.” [5]

Transmetohet nga Ibn Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi, ﷺ ka thënë: “Nëse Allahu e zbret (lëshon) dënimin mbi ndonjë popull, atëherë dënimi do t’i përfshijë të gjithë ata që janë në mesin e tyre. Dhe pastaj, ata do të ringjallen sipas qëllimeve të tyre që kanë pasur.” [6]

Transmetohet nga S’ad ibn Ebi Uekasi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi, ﷺ ka thënë: “Ti nuk do të shpenzosh diçka me qëllim që ta arrish kënaqësinë e Allahut e që nuk do të shpërblehesh për të (nga Allahu), qoftë ky shpenzim edhe një kafshatë të cilën ti e vënë në gojën e bashkëshortes tënde.” [7]

Muhamed Ahmed el Adeui

Përktheu: Suad B. Shabani

—————————–

[1] Buhariu nr. 1 dhe Muslimi nr. 1907

[2] Muslimi nr. 2564/33

[3] Muslimi nr. 2564/34

[4] Ahmedi, Musned 10798; Albani Silsiletul hadith ed daife: 1807

[5] Buhariu nr. 2599 dhe Muslimi nr. 3525

[6] Buhariu nr. 7108 dhe Muslimi nr. 2878

[7] Buhariu nr. 56