Pyetja:

Dikush pyet se ç’përfundim pati Hamani që përmendet në historinë e Musës -alejhi selam-?

***

Përgjigjja:

Hamani është emër që ka ardhur në Kuran dhe është përmendur në historinë e Musës alejhi selam në tre sure: një herë në suren El–Ankebut, tre herë në suren El-Kasas, dhe dy herë në suren Gafir. Ai mendohet te ketë qenë ministër i Faraonit siç thotë historiani i njohur mysliman Ibn Kethir. Ai gjithashtu mendohet të jetë mbytur me faraonin dhe ushtrinë e tij siç thotë gjithashtu Ibn Kethiri në komentimin e e ajetit 40 të sures El-Ankebut ku Allahu i madhëruar pasi përmend disa popuj të dënuar dhe mes tyre edhe faraonin me Hamanin thotë:

“Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë.” (Ankebut: 40)

Ibn Kethiri thotë: ‘Fjala e Allahut [disa i përmbytëm në ujë] janë për qëllim Faraoni, ministri i tij Hamani dhe ushtarët e tij që të gjithë u mbytën një paradite dhe nuk shpëtoi askush prej tyre.’

Pra Hamani mendohet të jetë mbytur me Faraonin dhe themi [mendohet] sepse Kurani nuk e ka shprehur qartë këtë gjë dhe Allahu e di më së miri!

Dr. Abdullah Nabolli