Pyetja:

Dëgjova një dijetar që tha: “Nëse dikush është i bindur se i kanë bërë magji, atëherë le të marrë 7 gjethe sidri, t’i vendosë në një enë me ujë dhe të lexojë në të suren Kafirun, Felek, ajetin e Kursisë, ajetin 102 të sures Bekare dhe Fatihanë”. A është e saktë kjo gjë?

***

Përgjigjja:

 S’ka dyshim se magjia ekziston dhe një pjesë e saj është magjepsje dhe vegime. Magjia ndodh dhe ndikon me lejen e Allahut, ashtu siç e ka bërë të qartë Allahu duke thënë në lidhje me magjistarët:

“Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë në kohën e mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por shejatnët ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni- Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magjinë, pa i thënë: Ne jemi dërguar sprovë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë nga ata, gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi.Në  të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” (Bekare: 102)

Magjia ka ndikim, por vetëm me lejen e Allahut e sipas dëshirës së Tij Universale, sepse çdo gjë që ekziston në Univers është prej caktimit të Allahut dhe krijimit të Tij, por magjia mund të kurohet dhe të shërohet. Profetit, salallahu alejhi ue selem, i është bërë magji, por Allahu ia largoi atë dhe e shpëtoi nga e keqja e saj. Sahabët e gjetën sendin në të cilën magjistari ia kishte bërë magjinë dhe e asgjësuan, në këtë mënyrë Allahu e shëroi Profetin e Tij, salallahu alejhi ue selem. Nëse gjendet sendi tek i cili është bërë magjia, si për shembull: lidhja e penjve nyje, ose lidhja mes gozhdëve, etj., duhet të asgjësohet ajo gjë. Magjistarët e kanë zakon të fryjnë në nyje, në mënyrë që të realizojnë qëllimet e tyre të ndyra, e ndodh që u realizohet qëllimi i tyre, vetëm me lejen e Allahut, ose ndodh që jo, Zoti ynë ka fuqi për çdo gjë.

Magjia mund të shërohet duke lexuar Kuran, edhe i sëmuri i lexon vetes nëse është ende i logjikshëm dhe e zotëron vetveten, ose i lexon dikush tjetër, duke i fryrë (fryrje e shoqëruar me stërkala të lehta pështyme në gjoks, apo në çfarëdolloj pjese tjetër të trupit). I lexon suren Fatiha, ajetin e Kursisë, Ihlasin, Felekun, Nasin, ajetet që flasin për magjinë në suret Araf, Junus dhe Taha, suren Kafirun. Është mirë që suret Ihlas, Felek dhe Nas t’i përsërisë nga tre herë, pastaj të lutet për shërim duke thënë: “O Allah Ti je Zoti i njerëzve, largoje këtë të keqe dhe shëroje sepse Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd, shëroje me shërim që nuk lë pas tij sëmundje.” Dhe e përsërit këtë tre herë. Po ashtu thotë: “Me emrin e Allahut po të bëj rukje nga çdo gjë që të mundon dhe nga e keqja e çdo shpirti apo syri ziliqar, Allahu të shëroftë, me emrin e Allahut po të bëj rukje.”, e përsërit tre herë.

I lutet Allahut që ta shërojë dhe gjithashtu thotë: “Kërkoj mbrojtje për ty me fjalët e Përsosura të Allahut nga e keqja e çdo gjëje që Ai ka krijuar.”, duke e përsëritur tre herë.

Këto lutje që përmendëm janë të dobishme për shërim, po ashtu një prej shkaqeve të shërimit me lejen e Allahut është që t’i lexojë këto dua dhe rukje në një enë me ujë, e më pas i sëmuri të pijë nga ky ujë dhe të lajë trupin me të. Kjo është provuar shumë herë dhe ka sjellë dobi, madje nëse do hidhte në ujë shtatë gjethe të njoma të sidrit pasi t’i shtypte, do ishte edhe më mirë. Këtë lloj shërimi e kemi praktikuar me shumë njerëz dhe ka qenë i dobishëm, pra është kurim i dobishëm për të goditurit nga magjia si dhe për  individë të cilët kanë pamundësi për marrëdhënie me bashkëshortet.

Ekzistojnë disa raste ku për shkak të magjisë burri ka pamundësi për marrëdhënie me gruan, në këtë rast nëse kjo lloj rukjeje dhe duaje do të vihej në përdorim, do të përbënte dobi me lejen e Allahut, si ai që ia lexon vetes, ashtu edhe kur ia lexon dikush tjetër ujin, më pas e pi atë dhe lahet prej tij, të gjitha këto janë të dobishme.

Këto lutje konsiderohen thjesht si shkaqe, ndërsa shëruesi është vetëm Allahu, i cili ka fuqi për çdo gjë, në dorën e Tij është sëmundja dhe shërimi, çdo gjë ndodh me caktimin dhe krijimin e Tij. Është saktësuar se Profeti ﷺ thënë: “Allahu nuk ka dërguar ndonjë sëmundje, pa dërguar edhe shërimin e saj, dikush nga njerëzit e di atë dhe dikush tjetër nuk e di.”

Allahu është Ai që jep sukses dhe udhëzon për në rrugë të drejtë.

Imami, shejkhu i nderuar AbdulAziz bin Baz