Pyetja:
Teksa disa notojnë në të mira materiale, të tjerë janë në mjerim. A mos vallë këta të dytët janë më të këqij, apo Zoti i do më shumë të parët?
Një pyetje e tillë mund të bëhet vetëm me qëllim për të mësuar, përndryshe të çon në mëkat. Në fakt, këtë pyetje mund ta bëjë edhe dikush që e ka një hall.
Zoti, kujt të dojë i jep kalë, makinë, apartament, han, hamam, taksi, dhe kujt të dojë, varfëri e nevojë. Por, në të gjitha këto, nuk duhet të mohohen edhe disa shkaqe që e kanë burimin te familja dhe te disa faktorë të tjerë. Për shembull, ashtu siç nuk mund të mohohet zgjuarsia dhe aftësia e dikujt për të fituar pasuri, ashtu edhe nuk mund të mohohet, që për të fituar, është kusht që të njihen rrugët e fitimit në vartësi të kushteve të kohës. Krahas kësaj, Zoti, megjithëse disa njerëz i tregon dinjitozë, prapëseprapë nuk i bën të pasur. Në një hadith shprehet mendimi se Allahu dëshiron që dikujt t’i japë pasuri, ndërsa dikujt tjetër, dituri, gjë që besoj se është mjaft kuptimplote lidhur me karakterin e pyetjes së bërë…
Nga një anë tjetër, malli dhe pasuria s’duhet të konsiderohen patjetër si diçka e mbarë dhe dobiprurëse. Po, Zoti ua plotëson kërkesën disave me pasuri dhe kënaqësi e lumturi tokësore, kurse disave, jo. Vetëm diçka: edhe dhënia, edhe mosdhënia e Zotit kanë në thelb mbarësi e dobi. Sepse, nëse ti je një njeri i mirë dhe do ta përdorësh atë që do të të jepet, me vend, ajo është e mbarë dhe e dobishme për ty. Mirëpo nëse nuk je njeri i mirë dhe je një devijues prej rrugës së drejtë, edhe dhënia, edhe mosdhënia e Zotit, për ty nuk do të përmbajnë kurrfarë mbarësie a dobie.
Nëse nuk zotëron një orientim të caktuar, varfëria për ty është një pretekst për mohim e blasfemi, sepse të shtyn që të ngresh krye kundër Zotit dhe për çdo ditë të ngreshsh flamurin e revoltës kundër Tij. Prej këndej, nëse nuk je në rrugë të drejtë dhe të mungon jeta e ndjenjave dhe ajo shpirtërore, pasuria është për ty është veç një bela dhe fatkeqësi.
Shumë njerëz deri më sot e kanë humbur sprovën nën të cilën janë vënë me anë të pasurisë, që është shndërruar për ta në një fatkeqësi të menjëhershme. Sa e sa vetë ka, që megjithëse jetojnë në pasuri, në zemrat e tyre, për shkak të mosmirënjohjes, nuk ndihet as shenja më e vogël e dritës së shpirtit!
Për rrjedhojë, fakti që Zoti u ka dhënë këtyre pasuri, është për ta një nxitje në rrugën e tyre të mbrapshtë. Ata e kanë merituar një gjë të tillë, sepse, para së gjithash, kanë vrarë jetën e vet ndjesore dhe shpirtërore duke i degjeneruar aftësitë natyrore që u pati dhënë Zoti.
Andaj, është me vend të shënojmë këtë hadith të Profetit ﷺ: “Mes jush ka të tillë që, kur ngrenë duart për t’iu betuar Allahut, Allahu ua çon në vend betimet dhe kurrsesi s’i nxjerr gënjeshtarë. Bera ibni Malik është njëri ndër ta.” [1] Mirëpo Berai, i vëllai i Enesit, nuk kishte as për të ngrënë dhe as vend ku të flinte. Ai ushqehej vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë. Ja pra, ka sa e sa njerëz si Berai me pamje të mjerë që janë parë si njerëz të mëdhenj dhe madhështia e zemrës së të cilëve është vlerësuar me dritën e brendshme të tyre. Mbi të gjitha këta janë njerëz, të cilët sipas fjalës së Profetit, janë karakterizuar si të tillë që, nëse betohen, Allahu nuk do t’i nxjerrë kurrsesi gënjeshtarë.
Prandaj edhe në vetvete, pasuria dhe varfëria nuk duhen konsideruar si mirësi apo fatkeqësi. Ndoshta, sipas vendit, varfëria mund të jetë një nga të mirat më të mëdha që Zoti i ka falur njeriut. Profeti ﷺ e pati parapëlqyer në mënyrë të vullnetshme varfërinë. “A nuk dëshiron ti që bota t’u mbetet atyre dhe përjetësia të na mbesë neve?” [2] Me këto fjalë i qe drejtuar ai Omerit të nderuar (r.a.). Edhe vetë Omeri i nderuar, në kohën kur pasuritë e botës derdheshin në thesarin e shtetit të tij, pati jetuar si një njeri i varfër duke u ushqyer veç sa për të mbajtur frymën gjallë.
Por ka edhe varfëri të tillë që, Zoti na ruajttë, është shmangia nga rruga e drejtë dhe blasfemia. Për shembull, nëse fjalët e mësipërme s’do të dilnin nga goja e një besimtari me qëllim analize, por nga goja e një mosmirënjohësi, ky njeri që do të shprehte ankim ndaj të mirave të Zotit, do të kthehej sakaq në mohues.
Për sa u fol, do të thotë se varfëria është, sipas vendit, diku e mirë, diku pushtet. Çështja themelore është besnikëria në zemër. Ja disa shprehje të saj:
“O Zot, e pranoj çdo gjë që do të më vinte prej Teje!” / “Më pëlqen ç’të më vijë prej Teje, pelerinë a qefin; / Trëndafil i freskët a gjemb, nder a mjerim…”
Edhe sikur të veshë pelerina të shtrenjta, edhe sikur të dojë të notojë në pasuri, për sa kohë që të jetë bashkë me Zotin, njeriu do të jetë përherë i nderuar dhe i lumtur. Ndërsa, përsa kohë që do të jetojë i shkëputur prej Zotit të tij, për të, si kjo botë, ashtu edhe bota tjetër, do të jenë një disfatë e përjetshme për atë të mjerë. Po ashtu, i pasuri që s’është bashkë me Zotin, edhe nëse në këtë botë duket në pamje të jashtme sikur është më i lumturi, në përfundim do të pësojë një disfatë të rëndë…
———————–
[1] Tirmidhiu, menakib 54.
[2] Buhariu, tefsiru sure (66) 2; Muslimi, talak 31.