Pyetja:

Gjatë faljes së namazit të xhenazes, njerëzit e vendosin tabutin drejt kibles, pastaj së pari e falin namazin e caktuar (farz) drejt tij e pastaj e falin namazin e xhenazes. Si është vendimi mbi këtë?

***

Përgjigjja:

”Kjo është çështje e gjerë. Është njëjtë si të vendoset përpara, si përmbas, në të djathtë apo në të majtë të namazlinjëve; s’ka problem në këtë. I vdekuri mund të vendoset në xhami apo pranë xhamisë, derisa njerëzit të falen. Pastaj, sillet tabuti dhe ia falin atij xhenazen. Dhe s’ka problem që të vendoset përpara namazlinjëve, në të djathtë të tyre, në të majtë apo përmbas tyre. Nuk di të ketë ndonjë problem lidhur me këtë”.

Shejh bin Baz, “Fetâwa Nûr ala ed-Derb” 2/1120

”S’ka problem në këtë, nëse shohim që nuk preokupohen me të (tabutin). Por, nëse shohim që (tabuti) i preokupon, atëherë është e urryer që namazliu të vendosë përpara diçka që e preokupon. Dhe s’do të ketë preokupim me të që, për shembull, të vendoset në ndonjërën prej qosheve të xhamisë, jo në mes të safave”.

Shejh ibn Uthejmin, “Fetâwa Nûr ala ed-Derb”

Disa dijetarë e kanë qëndrimin se kjo është e ndaluar, për shkak të hadithit: ”Mos u ulni mbi varre dhe mos u falni drejt tyre”. (Muslim 972)

Shejh Mubârekfûrî tha: “Dhe mos u falni drejt tyre’, domethënë, duke i pasur përpara ato (varret). Ka thënë el-Kârî: ’Ngjashëm, kjo vlen më shumë për tabutin që vendoset (përpara adhuruesve). Kjo është nga gabimet që i ka goditur banorët e Mekës, ku i vendosin xhenazet pranë Qabes e pastaj falen nga ato”. (Tuhfetul-Ahwedhî Sherh Sunen Tirmidhîu)

Shejh Albani tha lidhur me atë që parapriu: ”Them: Domethënë, sa i përket namazit farz, kjo është një fatkeqësi e përhapur, që ka kaluar në Sham, Anadolli (Turqi) dhe gjetiu. Një muaj më parë, pamë një pamje të shëmtuar, ku u tregua një saf adhuruesish tek bënin sexhde drejt një numri tabutesh të cilët ishin vendosur përpara tyre e që mbanin trupat e një grupi turqish që ishin mbytur në një përmbytje të anijes”.
(Tahdhîr es-Sâxhid min Ittikhâdh el-Kubûr Mesâxhid)