Blerja e mallit të vjedhur: Rregullat dhe arsyet në Islam

Njerëzit vjedhin dhe e nxjerrin mallin për ta shitur. Ndërsa ti, si blerës, ose e di që ai mall është i vjedhur, ose nuk e di.

Kur nuk e di se malli është i vjedhur

Nëse nuk e di që malli është i vjedhur dhe e blen, vlen rregulli i njohur se Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë së tij, sidomos për çështje që nuk i di dhe që mbeten në fshehtësi.

Kur e di se malli është i vjedhur: Pse është haram?

Por nëse e di se bëhet fjalë për një mall të vjedhur, ta blesh atë është haram. Ai që e ka vjedhur e ka haram vjedhjen dhe e ka haram edhe shitjen, ndërsa ti e ke haram blerjen, për disa arsye kryesore:

  • Shkelja e kushteve të shitblerjes dhe pavlefshmëria e kontratës: Mëkatin e vjedhjes hajni e mban vetë, por ai po shet mallin e huaj, jo të vetin. Për të shitur një mall, duhet të jesh pronari i tij ose të jesh i autorizuar nga pronari; askush nuk ka të drejtë të shesë mallin e huaj. Kur blen nga dikush që nuk ka të drejtë ta shesë atë, kontrata është e pavlefshme dhe nuk pranohet në sheriat, në fikh dhe në ligjin islam, prandaj ajo anulohet.
  • Ndihma dhe bashkëpjesëmarrja në haram: Duke e blerë një send të vjedhur, ti e ndihmon atë të përhapë haramin dhe të forcohet në të, sepse shitja e forcon në atë rrugë. Kështu bëhesh edhe vetë pjesëmarrës e ortak në gjynah. Allahu ka thënë: “Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në devotshmëri, dhe mos u ndihmoni njëri-tjetrit në gjynah dhe në armiqësi.” Në çdo punë që është haram dhe armiqësi, nuk duhet t’i ndihmohet askujt, as vëllait.
  • Përdorimi i haramit dhe ushqyerja e familjes: Është haram edhe përdorimi i tij qoftë për të ngrënë, për të pirë apo për ta çuar në shtëpi. Kur malli i haramë vjen me dijeninë tënde, si mund t’i ushqesh fëmijët e tu me një gjë të tillë?

Çfarë duhet bërë kur e merr vesh?

Kjo vlen pavarësisht llojit të mallit qoftë ushqim, veshmbathje, teknikë apo çfarëdo sendi tjetër. Që në momentin që e merr vesh se malli është i vjedhur, duhet të reagosh me frikë ndaj Zotit e të thuash: “Natë me rrobë, o Zot! A nuk i frikësohesh Allahut?” Kur dikush vjedh dhe përpiqet ta shesë mallin e vjedhur, nuk duhet menduar ta blesh. Përkundrazi, duhet pendim te Allahu dhe kthim i mallit te pronari i tij.

/Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqi/