Pyetja:

Si është më e udhës të bëhet eliminimi i pasurisë haram pas pendimit?

***

Përgjigjja:

Prej formave dhe metodave për t’u liruar nga pasuria haram, të cilat i kanë përmendur dijetarët janë: sadakaja, ndërtimi i banjove publike, rregullimi i parqeve, shesheve etj. Por shpërblim për këto vepra nuk pritet. Ndërsa sa i përket pasurisë haram mund të jetë në  forma të ndryshme. P.sh., në vetvete apo për shkak të mënyrës me të cilën fitohet. Ajo që është haram, për shkak të mënyrës me të cilën fitohet, mund të jetë marrë me ose pa miratimin e pronarit. Ai që e merr pasurinë kësisoj, mund të mos ketë qenë i vetëdijshëm për ndalimin apo mund të ketë menduar, bazuar në ixhtihadin e vet, se ishte e lejueshme (pastaj e ka kuptuar se nuk është). Për secilën nga këto situata ka vendim të veçantë. Së pari, kushdo që merr një pasuri që është haram në vetvete, apo diçka që islami ndalon njerëzit ta blejnë a ta shesin, duhet t’ia kthejë pronarit të saj dhe
të mos e mbajë. Madje, ai duhet ta asgjësojë atë (nëse s’mund ta kthejë), jo ta përdorë duke e shitur, duke e blerë, duke e dhuruar, apo duke e mbajtur në ndonjë mënyrë tjetër.
Pasuri haram në vetvete është çdo gjë që është e ndaluar në vetvete, si: alkooli, idhujt, derri, e kështu me radhë. Së dyti, kushdo që merr pronën e tjetrit në mënyrë të palejueshme, pra pamiratimin e pronarit, siç është rasti i pasurisë së vjedhur, i pasurisë që
grabitet me forcë, çfarëdo që përvetësohet nga pasuria publike, çfarëdo që merret nëpërmjet mashtrimit dhe dallavereve, kamata që personi detyrohet ta paguajë, mita që personi detyrohet të japë për të marrë atë që i takon, dhe gjërat si këto – të gjitha duhet t’u kthehen pronarëve të tyre, dhe ai që merr padrejtësisht, nuk mund të lirohet nga përgjegjësia në ndonjë mënyrë tjetër.
Nëse personi e harxhon apo e heq pasurinë haram në ndonjë mënyrë, ajo mbetet një borxh që duhet larë, derisa të jetë në gjendje t’ia kthejë pronarit të saj. Dijetari i njohur, Ibn el-Kajjim ka thënë: “Nëse artikulli merret pa miratimin e pronarit dhe jo në këmbim të një gjëje tjetër, duhet t’i kthehet pronarit. Nëse s’ka mundësi për kthimin e tij, mund t’i jepet një personi të tretë, të cilit i ka borxh ai nga i cili është marrë artikulli. Nëse kjo s’është e mundshme, duhet t’u jepet trashëgimtarëve të pronarit. Nëse as kjo s’është e mundshme, atëherë mund të jepet si sadaka në emër të pronarit. Në këtë rast, nëse pronari i ligjshëm pajtohet të marrë shpërblimin e sadakasë në Ditën e Gjykimit, shpërblimi do të jetë i tiji; nëse refuzon dhe insiston të marrë nga veprat e mira të atij që ia mori padrejtësisht pasurinë, do të zhdëmtohet në përputhje me dëmin që i është bërë me marrjen e pasurisë, ndërsa shpërblimi i sadakasë do t’i shkojë atij që e dha atë, siç edhe provohet nga Sahabët.” [1]
Së treti, kushdo që merr pasuri haram nëpërmjet një transaksioni haram, për
shkak se nuk ka ditur për ndalimin e transaksionit, apo beson të jetë e
lejueshme bazuar në një fetwa të një dijetari të cilit i beson, atëherë nga ai
s’kërkohet të bëjë ndonjë gjë, me kusht që ai të heqë dorë nga transaksioni
haram, pasi të marrë vesh se është i ndaluar, siç edhe na udhëzon Allahu:
Kushdo që pranon qortimin nga Zoti i vet dhe ndalon së marri kamatën,
mund të mbajë fitimet e kaluara.” (Bekare, 275)
Allahu e di më së miri.

——————–

[1] (Zaad el-Me’add, 5/690)