Pyetja:

A është e lejueshme të lexojmë me pak zë në namazin e drekës apo ikindisë?

***

Përgjigjja:

Leximi me zë të lartë në namazet në të cilat është parashkruar këndimi me zë të dëgjueshëm sʹështë i obligueshëm, por vetëm e rekomanduar. Kushdo që lexon qetësisht (pa e ngritur zërin), namazi i tij ende është i vlefshëm. I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: ʺSʹka namaz për atë që nuk e lexon el‐Fatihanëʺ. Ai nuk ka caktuar që këndimi të bëhet qetësisht apo me zë të lartë. Ndaj, nëse adhuruesi lexon çfarë është e obligueshme të lexohet, qoftë qetësisht apo me zë të lartë, atëherë ai e ka përmbushur obligimin. Mirëpo, është më mirë të lexohet me zë të lartë në namazet në të cilat këndimi me zë të dëgjueshëm është parashkruar nga suneti i Pejgamberit, ﷺ, si namazi i sabahut dhe i xhumasë. Nëse personi që po udhëheq namazin me qëllim lexon qetësisht (pa e ngritur zërin) në namazin në të cilën është parashkruar këndimi me zë të dëgjueshëm, atëherë namazi i tij ende është i vlefshëm, por nuk do të jetë i plotë (sipas sunetit). Për sa i përket atij që falet i vetëm, ai mund të zgjedhë nëse do të këndojë me zë të dëgjueshëm apo qetësisht në namazet e tilla. Ai mund të veprojë ashtu siç i përshtatet më mirë për përqendrim dhe përulje më të mirë. Nëse personi e lë këndimin me zë të dëgjueshëm në namazet në të cilat është parashkruar këndimi me zë të dëgjueshëm dhe e bën këtë nga harresa, ai mund të bëjë sevi‐sexhde, mirëpo nuk është obligim për të që ta bëjë këtë, meqë sʹdo ta zhvlerësonte namazin e tij lënia e qëllimtë e këndimit më zë të dëgjueshëm. Çfarëdo thënie apo vepër që sʹdo ta zhvlerësonte namazin, nëse do të bëhej apo lihej qëllimisht, sevi‐sexhdeja nuk do të jetë e nevojshme për të nëse lihet nga pavëmendja.

Shejh Ibn Uthejmin