Pyetja:

A lejohet të luash me zar nga 2 veta apo 4 vetëm për qejf, jo me para, a lejohet apo jo? Se është hadithi, por a ka të bëjë me zarin si zar apo me lojën?

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Loja me zar është e njohur që nga kohërat e hershme, prandaj ajo përmendet edhe në hadithet e të Dërguarit të Allahut, . El Menavi në librin “Fejdul Kadir” dhe librat që i përmendin këto lloj lojërash tregojnë se prejardhja e saj është nga persianët e vjetër. Në gjuhën arabe loja me zar quhet “En-nerd” apo “En-nerdeshir”.
Zari është kub i vogël (prej druri, qelqi, plastike, etj.), që ka gjashtë faqe katrore të barabarta të shënuara me pika nga një deri në gjashtë dhe përdoret për të luajtur. Me të luhen lojëra të ndryshme dhe më e përhapur është të luhet me para (bixhoz), por mund të luhet pa para vetëm për të kaluar kohën apo për t’u zbavitur.
Sa i përket bixhozit me të (të luhet me para), pa dyshim që është e ndaluar (haram) dhe në këtë ka konsensus (ixhma) mes muslimanëve. Të luajturit pa para, edhe pse nuk arrin shkallën e ndalesës me para, është haram, pasi të gjitha haramet nuk janë të një grade, por në esencë të gjitha janë ndalesa të cilave duhet t’u largohemi. Kjo është kështu pasi citatet në të cilat përmendet loja me zar kanë ardhur të përgjithësuara, pa marrë parasysh a luhet me para apo pa para. Nga këto citate përmendim:
Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kush luan me zar, është sikur të fusë dorën e tij në mishin e derrit dhe në gjakun e tij.” [1]
Poashtu thotë: “Kush luan me zar, ai ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” [2]
Abdullah Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur gjente dikë nga të afërmit e tij duke luajtur me zar, ai i thyente ato (zaret) dhe i rrihte ata që luanin.
Gjithashtu, ajo përse fukahatë/dijetarët e ndalojnë këtë formë loje është për shkak se kjo lojë nuk është e bazuar në dije, në shkathtësi dhe në mendjemprehtësi, por në fat, se cila nga pikat e zarit të bie gjatë hedhjes së tyre. Prandaj kjo është lojë e fatit dhe e rastit e jo lojë e logjikes dhe e dijes. Në përgjithësi të gjitha lojërat të cilat nuk bazohen në aftësitë e lojtarit dhe në shkathtësitë e tij, por në fat dhe në rastësi, edhe nëse nuk luhen me para, ato llogariten si lojëra fati dhe kumari, që janë të ndaluara. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

 

[1] Muslimi

[2] Maliku, Ahmedi