Pyetja:
Nëse vjen një lypës nëpër shtëpi, si duhet të veprojmë ndaj tij, se në kohën tonë po ka njerëz të ndryshëm, të cilët kërkojnë lëmoshë?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nuk ka dyshim se t’u japësh lëmoshë fukarenjve është prej ibadeteve të mira, Allahu ka thënë: “Ata të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.” (El Bekare: 274)
Transmeton Omer ibn Hatabi, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Prej veprave më të mira janë ta gëzosh një besimtar, të mbulosh trupin e tij (duke i blerë rroba), të ngopësh urinë e tij (duke e ushqyer atë ose duke i dhënë lëmoshë për ushqim) apo t’ia kryesh ndonjë nevojë që ka.” [1]
Po ashtu, transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu xh.sh. ka thënë: “Jep lëmoshë, o biri i Ademit, se edhe Unë ty do të të jap lëmoshë.” [2]
Këto ishin disa argumente të cilat flasin për vlerën e lëmoshës. Sa u përket personave të cilët vijnë në shtëpi për të kërkuar lëmoshë, dihet se tani ka shumë njerëz të kësaj natyre dhe disa në të vërtetë kanë nevojë, kurse disa të tjerë nuk kanë nevojë, mirëpo kërkojnë lëmoshë për t’u pasuruar apo për të përmirësuar gjendjen e tyre financiare.
Në këtë rast, secili person vepron sipas gjendjes së tij financiare dhe si e sheh ai atë person; nëse e sheh se ai në të vërtetë është i sinqertë në atë që po thotë, se ka nevojë, atëherë i jep lëmoshë. Por nëse e sheh që ai nuk ka nevojë apo vëren në fjalët e tij që po gënjen, atëherë nuk i jep.
Prapë duhet ta dimë se Allahu të shpërblen sipas nijetit tënd, edhe nëse i jep sadaka të pasurit pa dije.
Albislam
——————————
[1] Taberaniu, shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen.
[2] Buhariu dhe Muslimi.