Pyetja:

Gjatë marrjes së gusulit a lejohet përdorimi i shampove dhe sapunëve të ndryshëm?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Uji që duhet të përdorë njeriu për pastrim (gusul) është uji i pastër i cili ka mbetur në gjendjen e tij të natyrshme dhe që nuk i është ndryshuar shija, era dhe ngjyra me diçka të papastër. Në ujin e pastër bënë pjesë uji i shiut, i borës i breshrit, uji i detit, uji i lumit, uji i pusit (i bunarit), etj.
Gjithashtu në këtë ujë të pastër bën pjesë edhe uji i ndryshuar dhe i përzier. Ky ujë është ai që ka pësuar ndryshim si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë në ndonjë vend. Si p.sh.: uji në të cilën rriten myshqet (algat), ose kanë rënë gjethet e pemëve, ose lumi i turbulluar, etj. Ky ujë mbetet i pastër dhe lejohet të marrim abdest dhe gusul me të, derisa është ndryshuar me gjëra të pastra.
Në këtë lloj uji llogaritet edhe uji i cili është përzier me lëndë pastruese, si: klor, sapun, shampo, shafran, lule, sidër (lotus), kamfur, etj. Ky lloj uji konsiderohet i pastër dhe mund të përdoret për largimin e papastërtisë derisa e quajmë me këtë emër (ujë).

Sqarim:

Pasi kuptuam se lejohet të përdoret uji i përzier me sapun e shampon për gusul, atëherë për shtim të njohurive është e rrugës ta përmendim edhe atë se disa dijetarë të medh`hebit maliki dhe shafi përmbajnë mendimin se ky ujë nuk e ngre papastërtinë (xhunubllëkun) pasi uji është i përzier. Prandaj ata kushtëzojnë që gjatë pastrimit nga xhunubllëku së pari duhet të marrim gusul me ujë, pastaj të kalojmë në përdorimin e sapunëve ose shampove.

Por mendimi më i saktë në këtë është ai që përmendëm fillimisht dhe ky është qëndrimi i dijetarëve hanefi dhe i imam Ahmedit në një transmetim; se uji i cili përzihet me diçka të pastër, si sapun apo sidër, lejohet të përdoret për pastrim dhe ky ujë e ngre xhunubllëkun.

Gjithashtu edhe Shejhul Islamit Ibën Tejmije thotë se uji që përzihet me diçka të pastër lejohet të përdoret për ngritjen e xhunubllëkun, derisa emërtohet me emrin ujë (pra nuk i ndryshon emri).

Për këtë argumentojmë me hadithin se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, i cili u ka thënë grave të cilave e kanë pastruar vajzën e tij që kishte vdekur:
Lajeni 3 herë apo 5 herë, apo edhe më shumë herë me ujë dhe sidër (fletë të bluara të një druri aromatik) e në herën e fundit lajeni me ujë dhe kafur (lule e palmës aromatike).”

Nga ky hadith kuptojmë se vajza e Pjengamberit salallahu alejhi ue selem është pastruar me ujë të përzier dhe po të mos llogaritej ky ujë se pastron, atëherë këtë do ta përmendte Profeti salallahu alejhi ue selem. Pastrimi i xhenazes është i njëjtë sikurse gusuli.

Gjithashtu argument tjetër është hadithi të cilin e shënon Muslimi, se kur Esmaja e pyeti Muhamedin salallahu alejhi ue selem se si të pastrohet gruaja pas menstruacioneve. Ai ka thënë: “Merrni ujë dhe sidër dhe pastrohuni me të, me një pastrim të mirë…”.

Po të mos e largonte xhunubllëkun ky ujë i përzier me sidër, do t’ia tërhiqte vërejtjen Muhamedi salallahu alejhi ue selem, që fillimisht të fillonte me ujë të papërzier.

Shejh Abdulaziz Ibën Baz është pyetur rreth përdorimit të sapunit dhe shampos gjatë gusulit dhe ka thënë: “…Nuk prish punë përdorimi i sapunit, shampos, sidrit dhe gjërave të ngjashme që të largohen ndyrësirat (“El mexhele Arabije” nr; 218, viti: 1416).” Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com