Pyetja:
Cila është dispozita për mësyshmarrësin dhe smirëziun? Cilat janë disa nga shenjat më të spikatura që vërtetojnë se personi është goditur prej mësyshit?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Së pari: Dispozita për mësyshmarrësin dhe smirëziun
Legjislacioni islam i ka konsideruar haram (të paligjshme / të ndaluara) mësyshmarrjen dhe smirën e qëllimtë.
Nuk ka dyshim se personi që e ka për zakon t’i marrë njerëzit mësysh dhe që e ushtron këtë zakon të tijin me dashje dhe kërcënueshëm, konsiderohet mëkatar dhe duhet të mbahet larg njerëzve. Qeveria duhet ta burgosë ose izolojë atë në shtëpinë e tij dhe i tilli duhet të dëmshpërblejë dëmin që ka bërë përmes mësyshit të tij.
Nëse është vërtetuar së mësyshi i tij mund të vras, pastaj ai me mësyshin e tij vret dikë dhe vërtetohet që vrasja ka qenë me dashje, ky konsiderohet njëjtë si vrasësi me dashje dhe i nënshtrohet dispozitave të veprës penale të vrasjes me dashje; ndërsa nëse nga hetimet rezulton se vrasja e tij nëpërmjet mësyshit ka qenë pa dashje, ai konsiderohet vrasës pa dashje dhe i nënshtrohet dispozitave të veprës penale të vrasjes pa dashje. E njëjta vlen edhe për dëmin material që mësyshmarrësi shkakton; po rezultoi se ai e ka dëmtuar atë me dashje, duhet të dëmshpërblejë për të, në të kundërt nuk dëmshpërblen.
Së dyti: Simptomat (shenjat) e mësyshit (ajnit):
Simptomat (shenjat) e goditjes prej mësyshit (ajnit) dhe smirës (prekjes prej hasedit), janë hipotetike (vlerësime të përafërta që i nxjerrim me mendje dhe që nuk hyjnë tek shkencat ekzakte). Këto simptoma mund të ndryshojnë, të shtohen apo pakësohen, nga njër rast në një tjetër, si dhe mund të shfaqen të gjitha ose disa prej tyre, në varësi të fuqisë së mësyshit dhe numrit të atyre që e kanë marrë personin mësysh.
Më konkretisht këto simptoma (shenja) u përkasin dy llojeve në vijim:
Lloji i parë: Shenja si ato të sëmundjeve organike (të organizmit të trupit të njeriut);
Por këtyre simptomave nuk u bëjnë dobi trajtimet dhe kurat mjekësore; ato shfaqen në trajta të tilla, si: sëmundjet e kyçeve, plogështia, pagjumësia, puçrra që shfaqen në lëkurë, urinim i shpeshtë, djersitje e madhe, rëndesë në pjesën e pasme të kokës, rëndesë mbi supe, një si shpim në gjymtyrë, dhimbje që lëviz në zonën e fundshpinës dhe në shpatulla, rritje e temperaturës së trupit dhe ftohje e gjymtyrëve, rrahje të shpeshta të zemrës etj.;
Lloji i dytë: Shenja si ato të disa sëmundjeve nervore dhe psikologjike (psikike),
Edhe këtyre simptomave nuk u bëjnë dobi trajtimet dhe kurat mjekësore; ato shfaqen kryesisht në trajta të tilla, si: zverdhje / zbehje e fytyrës prej mosmbërritjes së mjaftueshme të gjakut në kapilarët e fytyrës; makth gjatë natës dhe reagime të rënda si pasojë e një frike jonormale; ftohtësia dhe largimi nga familjarët, shtëpia, shoqëria dhe studimet; izolimi dhe dëshira për të qëndruar i vetëm; ndjesi si ankthi, vuajtjet, rënkimi, psherëtima, grogësima dhe hapja e shpeshtë e gojës; harresa, pikëllimi dhe ngushtimi në kraharor, plogështia dhe dembelizmi, prirja për të fjetur gjatë etj.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi