Pyetja:

A lejohet ta rikthejmë mbiemrin e gjyshërve (Berisha), pasi mbiemri Bajrami nuk po më pëlqen?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.

Parimisht, lejohet ndërrimi i emrave dhe mbiemrave me qëllim për të përgjedhur emra të mirë, apo më të mirë sesa ata që janë, e sidomos nëse ata emra përmbajnë kuptim jo të mirë. I Dërguari i Allahut ﷺ, një gruaja e cila e kishte emrin Asije (mëkatare) ia ndërroi emrin në: Xhemile (e bukur). [1] Ndërsa te ndërrimi i mbiemrave, duhet të kemi kujdes te një çështje me rëndësi, që është: Nëse ndërrimi i mbiemrit nënkupton tjetërsimin e prejardhjes; fjala vjen që një person të dihet prej cilës familje rrjedh, ndërsa ai ta ndryshojë mbiemrin në atë formë që jep të kuptohet se është nga një tjetër familje. Në këtë rast nuk lejohet ndërrimi i mbiemrit, madje një vepër e tillë konsiderohet prej mëkateve të mëdha. I Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “Prej shpifjeve më të rënda është kur një person e pranon për baba atë që nuk është babai i tij”. [2]
Fjala baba në këtë hadith nënkupton llojin e jo individin, me një fjalë nënkupton lozën e prejardhjes, që përfshinë babain biologjik si dhe babain e gjyshin e tij dhe më lartë. Ndërsa në rastin konkret, kthimi në mbiemrin të cilin dikur e bartnin baballarët dhe gjyshërit tanë, nuk paraqet ndonjë problem fetar, ngase kjo nuk rezulton me ndërrimin e prejardhjes. Një problem i vogël mund të na paraqitet këtu, e që është se nëse ky ndryshim i mbiemrit bëhet për t’i ikur fjalës kinse të huaj (Bajram) e cila ka ngjyrim fetar, ngase nuk duhet të kompleksohemi nga realiteti, e që dikush prej të parëve tuaj e kishte emrin Bajram dhe sipas tij e keni marrë mbiemrin.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

———————————

[1] Muslimi

[2] Buhariu

Comments are closed.