Pyetja:

Përse Allahu i urdhëroi melekët t’i bëjnë sexhde Ademit, paqqja qoftë mbi të? Dhe, përse vëllezërit e Jusufit, paqja qoftë mbi të, i bënë sexhde atij? Unë e di që sexhdeja duhet të jetë për Allahun.

***

Përgjigjja:

Çdo lavëdrim i përket Allahut.

Sexhdeja është në dy forma:

1. Madhërim dhe afrim tek ai që po i bëhet sexhde. Kjo sexhde është ibadet (adhurim) që bëhet vetëm për Allahun Një, (kjo ka qenë kështu) në krejt sheriatet (legjislacionet).
2. Sexhdeja përshëndetëse dhe e respektit. E, kjo është sexhdeja me të cilën Allahu i urdhëroi melekët t’i përulen Ademit, dhe ata i bënë atij sexhde nderimi. Kur ata i nënshtrohen Atij pasi t’i urdhërojë për sexhde, ky nënshtrim i tyre është është ibadet për Allahun e Lartësuar.
Ndërsa sexhdeja që iu bë Jusufit nga prindërit dhe vëllezërit e tij, kjo është prej sexhdeve përshëndetëse dhe të respektit. Kjo ishte e lejuar në sheriatin (legjislacionin) e tyre.
Sa i përket sheriatit me të cilin erdhi vula e pejgamberëve, Muhamedi ﷺ, (në këtë sheriat) nuk lejohet sexhdeja për dikë tjetër pos Allahut, në mënyrë të prerë. Kësisoj i Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Sikur ta urdhëroja dikë t’i bëjë sexhde dikujt, do ta urdhëroja gruan t’i bëjë sexhde burrit të saj.”
I Dërguari i Allahut, ﷺ e ndaloi Muadhin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) t’i bëjë sexhde atij. Kur ai (Muadhi) i tregoi se ehlul kitabi (hebrenjtë dhe të krishterët) bënin sexhde për prijësit e tyre, atëherë ai përmendi hadithin paraprak.
Ndalimi i sexhdes për dikë tjetër pos Allahut në mënyrë të prerë në këtë sheriat, është nga përsosuria e tij dhe nga realizimi i teuhidit (monoteizmit). Ky është sheriati i përsosur në çdo gjë që ka përfshirë prej ligjeve. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El Maide, 3)
Shejh Abdurrahman ibn Nasir Berrak
Përktheu: Burim Koçinaj

Comments are closed.