Allahu i Lartësuar në Kur’anin fisnik pohon se Ai është që u ndihmon besimtarëve. Për këtë flitet në më shumë tekste kur’anore: “All-llahu largon dëmet e idhujtarëve ndaj atyre që besuan…” (el-Haxh, 38); “…Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët.” (Er-Rum, 47) “All-llahu është mbrojtës i besimtarëve.” (Ali Imran, 68)

Është evidente se gjendja e muslimanëve të sotshëm është konfuze dhe problematike; se më së shumti derdhet gjaku musliman, se shumicën e refugjateve në botë e përbëjnë muslimanët, se gjërat e shenjta të islamit janë cak i përdhosjes, se vendet muslimane dhe një pjesë e madhe e resurseve natyrore janë të okupuara, etj. Vetëm në Irak dhe Afganistan, gjatë këtyre viteve të fundit, me qindra mijë fëmijë kanë ngelur si jetimë, për shkak të vrasjes së prindërve të tyre. Ngjarjet e para ca kohëve që ndodhën në Gaza tregojnë më së miri sesa në të vërtetë është e vështirë dhe e ndërlikuar gjendja e muslimanëve të sotshëm. Parashtrohen pyetjet: Përse është kështu? Përse nuk vjen ndihma që Allahu i Lartësuar ua ka premtuar besimtarëve? Përse gjaku, nderi, vendi dhe shenjtëria muslimane janë bërë të tillë që çmimi i tyre në sipërfaqen tokësore është më i liri?!

Përgjigje precize dhe shumë të dobishme ka ofruar Sejjd Kutbi, r.a., në vëllimin e shtatëmbëdhjetë të tefsirit të tij të njohur “Fi dhilali-l-Kur’an” (Nën hijen e Kur’anit), gjatë komentimit të ajetit 39., të sures El-Enbija’. Përndryshe, Dhilali i Kutbit konsiderohet si komenti më i lexuar i Kur’anit në shekullin e 20., andaj dhe është tefsiri më me tirazh në libraritë dhe bibliotekat në tërë botën islame.

Ndihma ndonjëherë arrin me vonesë ndaj atyre të cilëve u është bërë padrejtësi, duke mos qenë të fajshëm dhe të gjykuar, dëbohen nga vendlindjet e tyre, vetëm se thonë: “Zoti ynë është Allahu!” Kurse arsyeja për këtë vonim mund të fshihet në ndonjë urtësi që Allahu i Lartësuar dëshiron ta tregojë.

Ndonjëherë nuk arrin për shkak se struktura e ummetit musliman nuk është e pjekur sa duhet; për shkak se nuk ka përjetuar vlugun e saj, apo se nuk i ka mobilizuar të gjitha forcat e saja dhe për shkak se nuk e ka motivuar secilën qelizë, ashtu që të dihen forcat dhe potencialet e tyre maksimale në të cilat do të mund të llogariste. Sepse (me këtë strukturë), po që se do të realizohej fitorja, kjo do të nënkuptonte edhe humbjen e saj shumë të shpejt.

Ndonjëherë, ndihma nuk arrin deri sa ummeti musliman ta vë në shprehje tërë forcën maksimale dhe rezervat e fundit, ashtu që të mos ngel asgjë, pavarësisht sesa kjo do të jetë e këndshme dhe e shtrenjtë, dhe kjo në rrugën e Allahut nuk arrihet me lehtësi.

Ndonjëherë për të arritur ndihma duhet pritur deri sa ummeti musliman nuk i provon edhe fuqitë e fundit dhe deri sa nuk kupton se këto fuqi, pa mbështetjen e Allahut të Plotfuqishëm, nuk janë të mjaftueshme që të garantojnë fitoren. Fitorja vjen nga Allahu, dhe atë kur të jetë shprehur e tërë ajo që është nën kapacitetin njerëzor, e pastaj çështja t’i lihet Allahut.

Ka raste kur ndihma vonohet edhe për shkak të asaj që besimtarët, duke vuajtur, duruar dhe duke sakrifikuar, të forcojnë lidhjen e tyre me Allahu e Lartësuar. Në situatë të këtillë atyre u bëhet e qartë se nuk kanë mbështetës tjetër përveç Allahut, e as synim ndaj të cilit do të ktheheshin në rast nevoje përpos Atij, të Vetmit. Kjo lidhje konsiderohet garancë e parë që besimtarët, pas fitores – kur Allahu të jep pëlqimin për të – do të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugën e drejtë, dhe jo të shkaktojnë dhunë dhe as të largohen nga e vërteta, drejtësia dhe mirësia.

Ndonjëherë ndodh që ndihma të vonohet për shkak se bashkësia muslimane në luftën e saj, dhënien e kontributit dhe sakrificës, nuk i është mbështetur ekskluzivisht Allahut të Plotfuqishëm. Mund që ajo luftë të jetë për arritjen e ndonjë dobie, apo vetëm se të tregohet vullneti dhe forca përpara armikut. Mirëpo, Allahu i Lartësuar dëshiron që lufta të bëhet vetëm për shkak të Tij dhe në rrugën e Tij, e zhveshur nga ndjenjat dhe motivet e tjera që ndonjëherë përzihen. Të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i është parashtruar pyetje për tre persona, nga të cilët njëri lufton nga ndjenja e vullnetit të zjarrtë, tjetri për të demonstruar forcë, ndërsa i treti që të tregohet parapara të tjerëve. E pyeten se cili prej këtyre gjendet në rrugën e Allahut. Ai, s.a.v.s., u përgjigj: “Ai i cili lufton që fjala e Allahut të jetë më larta, ai është në rrugën e Allahut.” (Trans. Buhariu dhe Muslimi)

Ndihma, gjithashtu mund të vonohet për shkak se tek e keqja, ndaj së cilës lufton ummeti musliman, ka diç të mirë që ka ngelur në të, kurse Allahu dëshiron që ajo e keqe të fshi atë të mirë, ashtu që të shkatërrohet tërësisht dhe në të të mos ngel as edhe një e mirë sa një thermi atomi.

Ngandonjëherë arrin me vonesë për shkak se gënjeshtra e së pavërtetës, kundër së cilës lufton ummeti musliman akoma nuk u është zbuluar plotësisht njerëzve. Sikur besimtarët ta fitonin atë, ajo me siguri do të haste në ndihmëtarë në mesin e mashtruesve, të cilët akoma nuk janë bindur në gabueshmërinë dhe në nevojën e zhdukjes së saj, dhe kështu rrënjët e saj të mbeteshin në shpirtrat e pafajshëm të cilëve nuk iu është zbuluar akoma e vërteta. Prandaj, Allahu i Lartësuar dëshiron që e pavërteta të mbetet gjersa nuk zhvishet tërësisht, pastaj ta zhduk atë, pa ankesën e atyre, të cilëve nuk iu është zbuluar akoma sa duhet.

Shpesh mund të ndodh që ndihma të vonohet edhe për shkak se mjedisi nuk është i gatshëm ta mirëpres të vërtetën, mirësinë dhe drejtësinë që ummeti musliman paraqet. Sikur të fitonte e vërteta, atëherë do të haste në refuzimin e mjedisit dhe nuk do të mundej të forcohej aty, ashtu që përleshja do të zgjaste deri sa nuk përmirësoheshin shpirtrat që ta prisnin të vërtetën ngadhënjyese dhe ta ruanin atë.

Ndihma ka çmimin dhe ngarkesën e vet kur Allahu e lëshon atë, dhe atë pasi të plotësohen kushtet e caktuara dhe të jetë paguar çmimi, gjegjësisht pasi të jetë përgatitur atmosfera për pritjen dhe ruajtjen e saj.

E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues. (Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve.” (El-Haxh, 40-41)

Premtimi i Allahut, i cili realizohet dhe nuk harrohet, është se do t’u ndihmojë atyre që e ndihmojnë Atë. Atëherë, kush janë ata që e ndihmojnë Allahun, e që e meritojnë ndihmën e Tij, të Fuqishmit dhe të Fortit, i cili nuk do ta shpërfill atë që Allahun e merr për mik? Ata janë:

Ata të cilët, nëse ua japim pushtetin në Tokë, ua sigurojmë fitoren dhe i forcojmë, falin namazin, adhurojnë vetëm Allahun dhe e forcojnë lidhjen e tyre me Të, Atij i kthehen të nënshtruar, me përulje dhe dorëzim… Dhe japin sadaka… Ata janë që të drejtën e pasurisë e respektojnë dhe e realizojnë, e triumfojnë koprracinë e shpirtit, janë të pastruar nga mendjemadhësia, mposhtin cytjen e shejtanit, stabilizojnë nevojat e bashkësisë, si dhe atë e karakterizojnë me cilësinë e organizmit të gjallë, sikur që është shprehur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në një hadith: “Besimtarët në marrëdhëniet mes tyre; në dashuri, mëshirë e butësi janë sikur trupi, nëse sëmuret një organ edhe pjesët e tjera të trupit shqetësohen dhe mbarë organizmi vuan nga dhembjet, pagjumësia dhe ngritja e temperaturës.” Të cilët gjithmonë kërkojnë të bëhen vepra të mira. Ata thërrasin në kryerjen e veprave të mira dhe të pastra, si dhe njerëzit i motivojnë në to, ndërsa mundohen t’i largojnë nga veprat e këqija. Ata luftojnë kundër së keqes dhe të ligës, duke u bërë kështu një ummet musliman me epitet i cili nuk qëndron në kryerjen e veprave të liga, dhe që nuk i shmanget kryerjes së veprave të mira, natyrisht nëse është në gjendje të realizojë atë…

Këta janë ata që i ndihmojnë Allahut, e që në fakt ndihmojnë në rrugën, në të cilën Ai dëshiron që t’i shoh njerëzit në jetën e tyre. Ata krenohen vetëm me Allahun dhe me askënd tjetër përpos Tij. Këta janë që Allahu i Lartësuar ua ka premtuar ndihmën e sigurt dhe të bindshme.

Kjo është ndihma e cila është e mbështetur në kushte dhe kërkesa. Ajo është e kushtëzuar me detyrime dhe ngarkesa. Caktimi pas tërë kësaj i takon Allahut të Madhërishëm. Ai disponon më të siç dëshiron, duke e kthyer humbjen në fitore, e fitoren në humbje. Allahut në fund i kthehet gjithçka!

Kjo është ndihma që mundëson realizimin e programit hyjnor në këtë jetë, mundëson fitoren e së vërtetës, drejtësisë dhe lirisë, që kanë për qëllim mirësinë dhe dëlirësinë. Nën hijen e saj mbeten individë, personalitete, dëshira e ndjenja…

Kjo është ndihma e cila ka kushtet, çmimin dhe kërkesat e veta. Ajo nuk i jepet askujt pa bazë, (kuturu) apo me hatër. Ndihmën duhet merituar, duke i plotësuar kushtet dhe kërkesat të cilat çojnë në arritjen e saj.

_______________________
Autor: dr. Safvet HALILOVIQ
Burimi: (Novi Horizonti – revistë për afirmim shkencor, kulturor dhe shpirtëror, nr. 116., Prill, 2009, BeH.)
Përktheu: Mehas Alija