Një nga begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij është se kur i krijoi ata u siguroi atyre lloje të ndryshme të ushqimeve dhe pijeve për ta vazhduar jetën, u zbriti atyre shiun nga qielli, u nxorri nga toka ushqimin, u krijoi atyre shtazë të ndryshëm dhe i nënshtroi ato ndaj tyre.
Si falenderim ndaj këtyre begative, njeriu obligohet të mësojë ligjin e Allahut rreth shtazëve që janë të lejuara dhe ato që janë haram të ushqehemi me to, pastaj t`i pasojë ato ligje dhe të fitojë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
Në këtë temë do të shpjegojmë disa rregulla të rëndësishme që kanë të bëjnë me gjuetinë.
Llojet e shtazëve
Shtazët në përgjithësi mund t`i ndajmë në dy lloje
1. Ato që janë të ndaluara të ushqehemi me to, si derri, ujku etj.
2. Shtazë të lejuara.
Shtazët që u lejohet ngrënia e mishit të tyre ndahen në dy grupe:
1. Shtazët që kemi mundësi t’i kapim dhe të bëjmë therjen e tyre.
Për këtë grup kemi folur më herët në temën “Therja ligjore” dhe kemi përmendur se nuk lejohet në asnjë mënyrë të hamë mishin e tyre, vetëm nëse është bërë prerja e tyre sipas kushteve të caktuara nga Allahu i Lartësuar.
2. Shtazët që nuk kemi mundësi të bëjmë therjen e tyre.
Rregullat e gjuetisë kanë të bëjnë me këtë grup të shtazëve.
Edhe grupi i dytë ndahet në dy lloje:
Lloji i parë: Kur gjatë gjuajtjes (me mjet) shtaza mbytet (me mjetin e gjuajtur)
Në këtë rast gjuajtja jonë me mjet e zëvendëson prerjen ligjore dhe lejohet ngrënia e tij me kushtet që do t’i përmendim më poshtë.
Lloji i dytë: Kur pas gjuajtjes e arrijmë shtazën të gjallë.
Në këtë rast nuk lejohet mishi i tij, perveç nëse e bëjmë therjen duke i pasur parasysh rregullat e saj. Koha e cila konsiderohet se e kemi arritur të gjallë është aq sa të kemi mundësi të bëjmë therjen.
Rregullat e gjuetisë
Bazë nga e cila nxirren shumica e rregullave të gjuetisë është hadithi qeë transmeton Adij ibën Hatim ku i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia mëson rregullat këtij sahabi i cili ka qenë gjuetar:
“Kur ta dërgosh qenin tënd (për gjuajtje) përmende emrin e Allahut (para deërgimit), nëse e kap qeni (gjahun) të gjallë, atëherë bëje prerjen ti, nese e arrin atë të ngordhur dhe qeni nuk ka ngrën prej saj atëherë ushqehu nga ajo. Nëse e gjen së bashku me qenin tënd ndonjë qen tjetër dhe gjahu është i mbytur, atëherë mos u ushqe nga ajo për arsyese se ti nuk e di se kush e ka mbytur (qeni yt apo tjetri). Nëse gjuan me shtizë peërmende emrin e Allahut (para gjuajtjes së shtizes). Nëse gjahun e gjen pas një dite dhe nuk sheh ndonjë shenjë në të përveç shenjave të shtizës tënde atëherë ushqehu nga ajo nëse do e nëse e gjen të zhytur në ujë mos u ushqe nga ajo.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Kushtet e gjuetisë
Kushti i parë:
Të jetë personi që gjuan nga ata që lejohet ta bëjnë prerjen.
Pra, nuk lejohet gjuajtja e të dehurit, idhujtarit…(shiko temën “Therrja ligjore”)
Argumente për këtë kemi hadithin e mësipërm ku thotë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):”…nëse e kap qeni gjahun të gjallë atëherë bëje prerjen ti..”
Nga kjo përjashtohet gjuajtja e shtazëve që nuk nevojitet prerja e tyre, si gjuajtja e peshqëve, nëse ata i gjuan idhujtari atëherë lejohet ngrënia e tyre.
Nëse në gjuajtje marrin pjesë një i krishter dhe një idhujtar dhe secili prej tyre gjuan me armë, ngrënia e gjahut është e ndaluar për shkak se kanë marrë pjesë në të personi që është hallall mishi të cilën e ka therur dhe ai që është haram dhe në sheriat kur të përzihet e ndaluar me të lejuarën atëherë përparësi ka e ndaluara.
Argument për këtë kemi pjesën e hadithit të mësipërm:”…nëse gjen së bashku me qenin tënd ndonjë qen tjetër dhe gjahu është i mbytur mos ha prej saj…”
Kushti i dytë:
Ka të bëjë me metodën e gjuajtjes dhe ai është dy lloje:
1. Mjet.
2. Shtazë.
1. Sa i përket mjetit duhet të jetë i mprehtë qeë e bën rrjedhjen e gjakut.
Argument për këtë është hadithi ku ë Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Ushqehu me atë (prerje) që e rrjedh gjakun, perveç mos të jetë (mjeti) nga dhëmbi dhe thoi” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi) Gjithashtu është argument edhe një hadith ku sahabiu Adij ibën Hatim e pyeti Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për gjuajtjen me shtizë të gjatë e i përgjigjet ai se nëse e godet shtazën me majë, ha nga ajo, e nëse e godet për së gjati atëherë mos ha nga ajo.
Nese mjeti nuk eshte i mprehte si p.sh te jete gjuajtja me rrjete, shkop apo litare ateher nuk lejohet mbytja me të, mirpo nese e zëmë me të dhe arrijme ta therrim kafshen atëherë lejohet.
2. Nëse gjuajtja bëhet me shtazë si p.sh: qenë apo me shpezë gjuajtëse kushtezohet të jetë ajo e trajnuar (mësuar).
Allahu i Lartësuar thotë: “Të pyesin ty (Muhamed), çfarë u është lejuar atyre (për ushqim)? Thuaj! U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira dhe ai (gjahu) i gjahtarëve (shtazëve) të dresuara që i mësoni ashtu si ju ka mësuar juve Allahu. Hani pra atë që gjahtuan për ju dhe më parë përmendeni emrin e Allahut. Kini frikë Allahun, pasi Allahu shpejt merr masa.” (Maide, 4)
Çfarë duhet të zotërojë kafsha që të konsiderohet e trajnuar?
Duhet të dijë t`i përgjigjet pronarit në kërkesat e tij si kur ta urdhërojë të shkojë dhe të vijë .
Kushti i tretë:
Qëllimi (njeti) gjatë gjuajtjes me shtazë apo mjet.
Kur e dërgon gjuetari kafshën e tij atëherë kërkohet prej tij të bëjë nijet se po e dërgon për gjuajtje. Neëse kafsha shkon vet dhe gjuan atëherë nuk lejohet ai ushqim.
Kushti i katërt:
Përmendja e emrit të Allahut para gjuajtjes.
Argument për këtë është ajeti: “… Hani pra atë që gjahtuan për ju dhe më parë përmendeni emrin e Allahut. Kini frikë Allahun, pasi Allahu shpejt merr masa.” (Maide, 4)
“Kur ta dërgosh qenin tënd (për gjuajtje) përmende emrin e Allahut (para dërgimit)…” (Buhariu dhe Muslimi)
Përgatiti: Alaudin Abazi