Pyetja: ​”A lejohen ilahitë ose këngët e dasmave me def?

 

Përgjigja:
Falënderimi I takon Allahut dhe paqja e bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tijﷺ.

▣—• Parimi bazë për veglat muzikore është ndalimi, bazuar në fjalën e Profetit ﷺ:
“Do të ketë prej umetit tim njerëz që do ta konsiderojnë të lejuar zinanë, mëndafshin, alkoolin dhe veglat muzikore.”
(Tranmseton Buhariu)

Megjithatë, defi (الدف) është përjashtuar nga ky rregull në disa raste të veçanta (që do t’i përmendim) për shkak të argumenteve të sakta nga Suneti.

A. Në Bajram

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton:
Ebu Bekri hyri tek ajo ndërsa dy vajza të vogla po i binin defit gjatë ditëve të Minasë. Profeti ﷺ ishte i mbuluar me rrobën e tij. Ebu Bekri i qortoi ato, por Profeti ﷺ zbuloi fytyrën dhe tha:
“Lëri, o Ebu Bekr, sepse këto janë ditë feste.”
(Transmeton Buhariu 944, Muslimi 892)

B. Në dasmë

Rubajji bint Muauid transmeton se kur Profeti ﷺ hyri tek ajo ditën e martesës së saj, disa vajza të vogla po binin në def dhe po përmendnin me vargje dëshmorët e Bedrit. Njëra prej tyre tha:
“Mes nesh është një Profet që di çfarë do të ndodhë nesër.”
Profeti ﷺ tha:
“Lëre këtë fjalë dhe vazhdo me ato që po thoje më parë.”

(Transmeton Buhariu 4852)

C. Me rastin e kthimit të një personi

Burejde transmeton se kur Profeti ﷺ u kthye nga një prej ekspeditave, një robëreshë e zezë tha:
“O i Dërguari i Allahut! Kam bërë nijet që nëse Allahu të kthen shëndoshë e mirë, të bie në def para teje dhe të këndoj.”
Profeti ﷺ i tha:
“Nëse e ke bërë nijet, atëherë bjeri; përndryshe jo.”
Ajo filloi t’i bjerë defit. Hyri Ebu Bekri dhe ajo vazhdoi. Hyri Aliu dhe ajo vazhdoi. Hyri Uthmani dhe ajo vazhdoi. Kur hyri Umeri, ajo e fshehu defin dhe u ul mbi të.
Atëherë Profeti ﷺ tha:
“Vërtet shejtani të frikësohet ty, o Umer!”

(Tirmidhiu 3690, i saktësuar nga Shejh Albani)

▣ Disa dijetarë kanë zgjeruar lejimin edhe në raste të tjera gëzimi, por më e sigurt është kufizimi në ato që janë transmetuar qartë në Sunet.

▣—• Për kë lejohet?
Lejimi është vetëm për gratë qoftë duke i rënë vetë defit apo duke dëgjuar gratë e tjera që i bien atij në këto raste të lejuara.

Shejh Ibn Bazi رحمه الله ka thënë:
“Lejimi është vetëm për gratë në përdorimin e defit. Sa u përket burrave, nuk u lejohet përdorimi i tij as në dasma dhe as në raste të tjera.”

Gjithashtu, Shejhul-Islam Ibn Tejmije رحمه الله ka sqaruar se në kohën e Profetit ﷺ burrat nuk i binin defit dhe nuk duartrokisnin, por kjo ishte veçori e grave.

▣—•Çfarë lloj defi lejohet?

Dijetarët kanë përmendur se lejohet defi i thjeshtë, Pa zile ose disqe metalike.
Pra, jo tamburina moderne me pjesë metalike që prodhojnë tinguj shtesë.

▣—• Çfarë lloj këngësh lejohen?

Lejohen fjalë të mira dhe të zakonshme që:
1-Nuk përmbajnë thirrje në haram.
2- Nuk përmbajnë fjalë të turpshme.
3- Nuk përmbajnë lavdërim të mëkateve.
4- Nuk përmbajnë besime të gabuara.

Siç ndodhi kur Profeti ﷺ e ndaloi vajzën që tha:
“Mes nesh është një Profet që di çfarë do të ndodhë nesër.”
dhe i tha:
“Lëre këtë dhe thuaj atë që po thoje më parë.”

▣— Përfundim: Defi i thjeshtë, pa zile metalike, lejohet për gratë (jo për burrat) në dasma, Bajrame dhe në rastin e kthimit të një personi që ka munguar, sipas argumenteve të sakta të Sunetit.

Allahu e di më së miri.

/Dr. Adelina Kuçana/