Gruaja e ndershme nuk vjen përmes mëkatit

Në këtë botë ku gjithçka shitet e blihet, ku edhe ndjenjat shpesh kthehen në monedhë të lirë, ekziston një thesar i rrallë që nuk mund të gjendet nëpër tregje të shfrenuara e as në rrjete të turbullta shoqërore: gruaja e ndershme dhe fisnike. Ajo nuk është si një profil që të shfaqet në ekran, nuk vjen si një mesazh i fshehtë në orët e vona, e as si një zemër e kuqe (like) mbi një koment të pafajshëm. Ajo nuk ecën nëpër shtigjet e mëkatit, sepse shpirti i saj ruhet nga drita e besimit dhe zemra e saj ushqehet me frikën ndaj Allahut të Madhëruar.

Rrjetet sociale sot janë bërë si një det i gjerë, ku shumë anije mbyten para se të arrijnë në breg. Një fjalë e hedhur pa mendim, një pëlqim i padiskutuar, një bisedë që fillon me “të pafajshme” e përfundon me zjarr të gjitha këto janë rrugë që çojnë drejt humbjes së paqes shpirtërore dhe shkatërrimit të familjeve. Çdo klikim mund të jetë një hap drejt grackës, çdo buzëqeshje virtuale mund të bëhet një shigjetë djallëzore që e shpon zemrën.

Gruaja e ndershme nuk lind nëpër mesazhe të fshehta, as nuk rritet me pëlqime (like) publike. Ajo është një dhuratë hyjnore, një rizk që zbret nga qielli për atë që e pastron zemrën nga mashtrimet, që ruan sytë nga harami dhe që e lidh zemrën fort me Allahun e Madhëruar. Siç ka thënë Ibnul-Arabij: “Gruaja e ndershme nuk vjen me përpjekjen tënde; ajo është rizk që i jepet atij që i frikësohet Zotit të tij.”

Prandaj, mos kërko margaritarë në baltë, mos gjuaj yje në errësirën e rrjeteve ku gjithçka shndrit për pak çaste e shuhet si hije. Nëse dëshiron një grua të ndershme, bëhu fillimisht burrë i ndershëm; nëse kërkon një Merjeme, bëhu ti një Jusuf; nëse kërkon një shpirt të pastër, pastro së pari shpirtin tënd.

Sepse ajo gruaja e ndershme nuk është një “kontakt” që shtohet në listën e friends, por një amanet që të jepet. Dhe kur Allahu ta dhuron, ajo bëhet dritë në shtëpinë tënde, paqe në zemrën tënde dhe mburojë nga furtunat e botës.

Pëshpëritje jetësore
Unejs Sheme – https://t.me/islamiautentik