Bismilahi-Rrahmani-Rrahim

S’ka dyshim se Allahu i lartësuar ka mundësi që ta privojë robin e Tij prej një pjese të riskut (furnizimit), për shkak të një mëkati që e ka vepruar. Siç thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), në hadithin që është transmetuar në “Musnedin” e imam Ahmedit: “Ka mundësi që robi të privohet nga një risk, për shkak të një mëkati që e ka vepruar.” Këtë hadith e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!).

Çështja e riskut qëndron te bereqeti, për këtë arsye dijetarët kanë thënë: “Tek risku nuk merret parasysh sasia aq sa merret parasysh bereqeti i atij risku.” Për këtë arsye gjen njerëz që kanë bereqet në riskun e tyre, saqë me një pasuri të vogël i kalojnë ditët, javët mbase edhe më shumë, ndërsa në anën tjetër ka njerëz me të ardhura gjashtëshifrore vjetore, dhe prap ankohen se nuk kanë pasuri të mjaftueshme, për shkak se pasuria e tyre është e përzier me të ndaluarat, si kamata, e gjëra të tjera.
Andaj, është parim se bereqeti është gjëja më e rëndësishme, dhe jo sasia e pasurisë.
Pastaj, a është patjetër që një rob i sprovuar me mungesë të riskut, sipas vlerësimit të tij, që kjo të jetë pasojë e mëkateve që ka bërë? Këtu janë dy kategori njerëzish; pra Allahu mund t’i sprovojë robërit e Tij në dy forma:
1. Me mungesë të riskut, pa ndonjë shkak, siç e ka sprovuar Pejgamberin (alejhis-selam), të cilit ka ndodh i ka kaluar një hënë e plotë, pastaj tjetra, e pastaj tjetra, pra, për dy muaj rresht nuk është ndezur zjarr për të zier një gjellë në shtëpinë e tij. Pra, sprova në risk mund të jetë sprovë për njerëzit e devotshëm, qoftë për t’i ngritur gradat në Xhenet besimtarëve, qoftë për arsye të tjera;
2. Privimi nga një risk i caktuar për shkak të ndonjë gjynahut që e ka bërë.
Për këtë arsye besimtari duhet ta ketë çdoherë parasysh veprimin e mëkatit, ngase mëkatet e vogla, kur shtohen, marrin pozitën e mëkatit të madh, për shkak të vazhdimësisë në mëkat, prandaj robi mund të privohet nga risku për shkak të mëkatit, andaj duhet të kemi kujdes dhe këtë nuk mund ta kuptojmë se a është sprovë prej Allahut apo është dënim.
Kështu, më së miri është që, nëse e dimë që jemi mëkatarë dhe nuk jemi duke u penduar tek Allahu sa duhet, si dhe në vazhdimësi veprojmë mëkat, atëherë duhet konsideruar privimin e riskut në kategorinë e dytë. E, nëse është e kundërta, në vazhdimësi ruhemi prej mëkatit, atëherë të konsiderojmë se kjo është sprovë nga Allahu dhe duhet të bëjmë durim dhe të shpresojmë që në të ardhmen e afërt apo të largët, Allahu të na begatojë me një pasuri, punë apo diçka tjetër. E nëse në vazhdimësi jemi të sprovuar, atëherë presim nga Allahu të na shpërblejë për durimin tonë në botën tjetër, ngase Allahu thotë: “Durimtarëve u jepet shpërblim pa llogari (në botën tjetër)”

Allahu e di më së miri!

Përgjigje nga hoxhë Hekuran Helshani