A ka shpagim për atë që bën marrëdhënie me gruan në Ramazan pa e ditur se prishet agjërimi?

Përgjigje: Nëse personi agjërues nuk e ka ditur se marrëdhënia seksuale me gruan e tij e prish agjërimin në Ramazan, atëherë nuk ka nevojë të bëjë kompensim (kefaret), d.m.th. është fjala nëse nuk e ka ditur këtë dispozitë, nëse supozohet se nuk e ka ditur,- edhe pse kjo është paksa e pamundur të paramendohet, sidomos në shoqëritë Islame, që mësohen dhe shpjegohen këto gjëra; tek ne deri vonë në popull ka qenë besim dhe është përmendur se nëse e puth gruan të prishet agjërimi.

 

Mirëpo, kemi një tjetër çështje: dikush e ka ditur se është haram bërja e marrëdhënieve me gruan në Ramazan dhe se nëse e vepron këtë gjë i prishet agjërimi, mirëpo nuk e ka ditur se çfarë e pret dhe cili është kefareti/shpagimi (të agjërojë 2 muaj rresht), në këtë rast nuk i pranohet arsyetimi (“nuk e kam ditur, se sikur ta dija nuk e kisha bërë”) dhe duhet të agjërojë 2 muaj rresht (kompensim). Përveç agjërimit të këtyre 2 muajve, duhet agjëruar dhe dita të cilën e ka prishur (duke bërë marrëdhënie). Edhe sahabiu që ka vepruar kështu ka shkuar te i Dërguari salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Jam shkatërruar, kam fjetur me gruan në Ramazan (duke qenë agjërueshëm)!”, ai nuk e ka ditur se çfarë e pret (agjërimi dy muaj rresht) dhe i Dërguari salAllahu alejhi ue selem i ka thënë se duhet të agjërojë dy muaj rresht. Nëse ka mundësi duhet gjithqysh të agjërojë 2 muaj rresht, e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet t’i ushqejë 60 të varfër.

 

Gjithashtu nëse ka bërë marrëdhënie me gruan prej harresës- edhe pse edhe kjo është paksa e pamundur- , atëherë nuk i prishet agjërimi. Mirëpo, a ka mundësi të bëhet kjo nga harresa?! Nëse burri ka harruar, gruaja nuk harron, do të thotë njërit do t’i kujtohet se janë agjërueshëm. Mirëpo,  nëse supozohet se kanë harruar të dytë, agjërimi nuk prishet.

 

Njëjtë është dhe nëse dikush detyrohet për të bërë marrëdhënie, nuk i prishet agjërimi.

 

Për t’u prishur agjërimi duhen plotësuar këto tri pika:

-mos ta veprojë veprën (që ia prish agjërimin) nga mosdija,

-mos ta veprojë veprën (që ia prish agjërimin) nga harresa,

-mos ta veprojë veprën (që ia prish agjërimin) nga detyrimi.

Nëse e bën për njërën prej tyre, atëherë agjërimi nuk i prishet.

 

Kur personi për të pirë ujë detyrohet me rrahje, apo me vdekje, nuk i prishet agjërimi.

 

/Hoxhë Lulzim Perçuku – https://udhezimi.com/