Pyetje: Lexova se i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, kishte thënë: “Kush lidhë hajmali, i tilli ka bërë shirk!” Kur kuptova këtë, u pendova  tek Zoti dhe i kërkova falje për atë që kisha bërë duke mbajtur hajmali. Mirëpo Zoti thotë: “Allahu, me të vërtetë, nuk e falë atë që bën shirk, por ia falë të tjerat mëkate kujt të dojë, përveç këtij.”[1]. Pyetja ime është se, a konsiderohem unë që kam mbajtur hajmali pjesë e kësaj kategorie që nuk i falë Allahu?!

Përgjigje: Gjithsecili që pendohet tek Allahu i Madhërishëm dhe kthehet tek Ai, edhe nëse vepra e tij është kufrore dhe përjashtuese nga Islami, Allahu ka për t’ia pranuar pendimin, siç ka thënë Allahu, i Larti: “Thuaj: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes duke bërë mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i falë të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është Falës dhe Mëshirues.”[2]

            Në “Sahih” të Buhariut-, gjendet se Ibën Abasit, -radijallahu anhu!-, ka treguar se disa njerëz, -ithtarë të shirkut-, kishin bëra shumë bëma, kishin bërë vrasje dhe zina të shumta, dhe njëherë erdhën tek Muhamedi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, dhe i thanë: Ajo të cilën ti e thua dhe thërret në të është diçka shumë e mirë, a mund të na mësosh a ka shpagim për bëmat tona?! Atëherë, zbriti ajeti: “…Edhe ata që pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, dhe të cilët, nuk vrasin njeri që e ka ndaluar Allahu, përveç sipas ligjit (që ka merituar dënimin), dhe që nuk bëjnë kurvëri…”[3] Dhe zbriti, gjithashtu: “Thuaj: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut!”

Ibën Kethiri, në shpjegimin e tij për këtë ajet, ka thënë: “Kjo falje e madhe për atë që pendohet vlen për të gjitha llojet e mëkateve, qoftë kufër, shirk, dyshim, nifak, fisk, e të tjera; Pra, gjithkush që pendohet tek Allahu, Allahu ia pranon pendimin!”.

Kurse falja e Allahut: …nuk e falë atë që bën shirk” kjo është sa u përket atyre që vdesin në shirk pa u penduar, kurse ata që pendohen tek Allahu dhe largohen nga shirku, atëherë atij Allahu ia falë, ashtu siç ka thënë Ai, -subhanehu ue te’ala!-: “Thuaju mohuesve: nëse largohen (nga kufri-mohimi), do t’ju falet e kaluara”[4]

E, me që ju jeni penduar tek Allahu, shpresojmë që Ai t’ua ketë pranuar pendimin.

Qendra për Fetva pranë IslamWeb-it, me nr. 176,229

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Kurani, En-Nisa: 48

[2] Kurani, Ez-Zumer: 53

[3] Kurani, El-Furkan: 68

[4] Kurani, El-Enfal: 38