Besimtarët dhe zotimet
Zotimet janë angazhime, të cilat i ndërmarrin besimtaret në emër të Zotit të tyre, për ta shtyrë veten drejt veprimit të tyre edhe pse në origjinë nuk janë të tilla.
▪️Përmbushja e këtyre zotimeve kur ato janë për punë të mira është detyrë dhe punë e lavdëruar si respekt për emrin e Allahut të madhëruar.
▪️Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar besimtarët e mirë për përmbushjen e zotimeve në Kuran dhe ka thënë:
“Sigurisht, besimtarët e mirë do të pinë në kupa me pije të përziera me Kafur. Ai është burim prej të cilit pijnë vetëm robërit e Allahut dhe mund ta çojnë atë nga të duan. Ata u përmbahen zotimeve dhe i frikësohen Ditës, tmerri i së cilës përhapet gjithkund” Sure Insan: 5-7.
▪️Këto zotime quhen zotime të lavdëruara, sepse janë të pakushtëzuara dhe se besimtari -siç e thamë më lart nuk do gjë tjetër veçse ta shtyjë veten për punë të mira, ndryshe nga betimet e kushtëzuara të cilat nuk janë të lavdëruara.
▪️Zotimet e kushtëzuara janë si psh:
Nëse Allahu më shëron nga kjo sëmundje, do të bëj një kurban!
Nëse Allahu ma kthen filanin shëndoshë e mirë, do të jap sadaka!
Nëse Allahu ma bën këtë të mirë, do të bëj për hir të Tij një Haxh, apo Umre!
Këto zotime nuk janë të pëlqyera, sepse Profeti -alejhi selam- thotë:
“Zotimi (i kushtëzuar) nuk shpejton dhe as vonon gjë. Të mirat nëpërmjet zotimeve dalin prej koprracit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
▪️Zotimet e kushtëzuara, edhe pse janë të papëlqyeshme, duhen përmbushur si respekt të emrit të Allahut për të cilin janë ndërmarrë.
▪️Zotimet gjithashtu si respekt te emrit të Allahut nëse nuk përmbushen dot nga besimtari duhen shlyer dhe shlyerja e tyre është: ose ushqyerja e dhjetë të varfërve, ose veshja e tyre, ose lirimi i një skllavi nga robëria. Nëse ai nuk mundet të bëjë njërën nga këto të treja, atëherë agjëron tre ditë.
Shkëputur nga libri: Betimet në këndvështrimin e Islamit.