​Të falet një besimtar apo besimtare duke pasur një çamçakëz në gojë paraqet një shkelje të madhe, sepse besimtari gjithmonë duhet ta ketë frikën e Allahut. E sidomos kur është duke e adhuruar Atë, e veçanërisht kur jemi te shtyllat kryesore të fesë, sikurse është namazi.

​Andaj, nëse ti ke në mendjen tënde se je duke adhuruar Allahun, mirëpo në gojën tënde mban sakëz (çamçakëz), atëherë ti po manifeston një mungesë të frikës ndaj Allahut, së pari.

​Dhe së dyti, ka nga dijetarët të cilët thonë: nëse njeriu mban në gojë gjatë namazit, kur është duke u falur, diçka e cila shkrihet apo tretet, sikurse është sheqeri, namazi i tij do të prishet. E tillë ka mundësi të jetë edhe çamçakëzi.

​Andaj, kini frikën e Allahut! Faleni namazin ashtu siç i takon një besimtari, duke qenë të përqendruar dhe me frikërespekt të lartë, sepse kemi dalë para Tij.

Hoxhë Armend Haxhiu