- Sipas mendimit më të saktë, mbështetur në argumente, qëndron se, stomaku (lukthi) është brendësia e vetme e trupit që, nëse në të hyn diç prej ushqimit, agjërimi konsiderohet i prishur, e jo ndonjë brendësi tjetër.
- Mendimi më i saktë është se, spreji i astmës, që përdoret kundër astmës për lehtësimin e frymëmarrjes, nuk e prish agjërimin. Ky është mendimi i Komisionit të Përhershëm, si dhe i Ibn Bazit, Ibn Uthejminit, Ibn Xhibrinit etj.
- Disqet që vendosen nën gjuhë, për të kuruar komplikimet e zemrës, nuk e prishin agjërimin.
- Mes dijetarëve ka mospajtime nëse prishet apo nuk prishet agjërimi po qe se brenda stomakut hyn diçka joushqyese, si: gur, metal e të ngjashme. Mendimi më i saktë është se, agjërimi prishet vetëm me futjen e gjërave ushqyese.
- Sipas mendimit më të saktë qëndron se, gastroskopi, që futet në stomak për analiza të ndryshme, nuk e prish agjërimin, përveç nëse në të vendosen lëndë yndyrore ushqyese, në këtë rast e prish agjërimin.
- Të gjithë juristët bashkëkohorë kanë rënë në ujdi se, pirja e duhanit e prish agjërimin.
- Shumica e juristëve bashkëkohorë (si: Ibn Bazi dhe Ibn Uthejmini) thonë se, pikat për hundë e prishin agjërimin. Disa thonë se, nëse vëren shijen e tyre në fyt, e prish, e, nëse jo, nuk e prish. Ndërkaq, mendimi i autorit është se, nuk e prish në asnjë mënyrë.
- Marrja e oksigjenit nuk e prish agjërimin.
- Për sprejin e hundës vlen gjykimi i sprejit të astmës: domethënë, nuk e prish agjërimin.
- Nëse anestezioni është lokal (mpirje e pjesshme, në ndonjë pjesë të trupit), nuk e prish agjërimin, por, nëse është total (i përgjithshëm), rrjedhimisht i sëmuri e humb vetëdijen tërësisht, atëherë ekzistojnë këto raste:
‐ nëse është gjatë gjithë ditës në mënyrë të vazhdueshme, e prish;
‐ ndërkaq, nëse i sëmuri zgjohet në një pjesë të ditës, agjërimi i tij është i vlefshëm. - Pikat për veshë nuk e prishin agjërimin, sepse nuk ka ndërlidhje mes veshit dhe stomakut.
- Më afër së vërtetës qëndron se, pikat për sy nuk e prishin agjërimin. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, si: Ibn Bazit dhe Ibn Uthejminit.
- Sipas shumicës së juristëve bashkëkohorë, gjilpërat (injeksionet), që merren në lëkurë apo muskuj (si: penicilina, insolina e të ngjashme, të cilat merren në lëkurë apo në muskul), nuk e prishin agjërimin. Ky është mendimi i Ibn Bazit dhe Ibn Uthejminit. Ndërkaq, gjilpërat që merren në vena apo damarë të gjakut, e prishin, sepse përmbajnë ujë dhe lëndë ushqyese, si: kalcium, glukozë etj., e prej tyre trupi ka dobi dhe përforcohet me to ashtu siç forcohet me ushqim e pije.
- Sipas shumicës së dijetarëve, injeksionet ushqyese, që merren në vena, e prishin agjërimin. Ky është mendimi i Ibn Sadit, Ibn Bazit, Ibn Uthejminit etj.
- Yndyrat, vajrat, kremrat e ndryshme, llojet e ngjitësve, të cilat përdoren për shërim (zakonisht për lyerje në lëkurë), nuk e prishin agjërimin. Ky është vendimi i Akademisë Ndërkombëtare Fikhore, gjë për të cilën ka ujdi.
- Lënda ngjitëse që përmban nikotinë duhani (që përdoret si hap ndihmës për ta lënë duhanin), e cila ngjitet në lëkurë, ku lëkura pastaj e thith nikotinën në trup, nuk e prish agjërimin sipas mendimit më të saktë. Ky është edhe vendimi i Akademisë Fikhore Islame dhe mendimi i Ibn Uthejminit.
- Futja e gastroskopit (gypave të hollë plastikë etj.) në arterie të trupit, qoftë për pastrim, kurim apo fotografim, nuk llogaritet ushqim e as pije, madje as kushtimisht, ndaj nuk arrijnë në stomak, rrjedhimisht, nuk e prishin agjërimin. Ky është qëndrimi i Akademisë Fikhore Islame.
- Gastroskopi që futet në bark për analiza, operim, nxjerrje të ndonjë mostre për verifikim të ndonjë sëmundjeje etj., nuk e prish agjërimin, sepse nuk arrin në stomak.
- Nëse pastrimi i veshkave (dializa) shoqërohet me lëndë ushqyese që përmbajnë sheqer etj., s’ka dyshim që e prish agjërimin. Ndërkaq, nëse është vetëm pastrim dhe filtrim i gjakut, pa ndonjë lëndë ushqyese, atëherë nuk e prish agjërimin.
- Pastrimi i organit gjenital (te femrat) përmes gastroskopit vaginal, që përdoret në gjinekologji, nuk e prish agjërimin, sepse gjatë këtij pastrimi asgjë nuk arrin në stomak dhe se nuk shkakton diçka që mund ta prishë agjërimin.
- Supozitori vaginal dhe gastroskopi nuk e prishin agjërimin.
- Nëse në injeksionet anale ka ujë ose lëndë ushqyese dhe sipas mjekësisë konstatohet se zorra e trashë e thith atë, atëherë këto e prishin agjërimin, sepse përmes tyre trupi fiton energji. Ndërkaq, nëse vërtetohet se zorra nuk e thith ujin e as ushqimin apo se këto injeksione nuk përmbajnë ujë e as lëndë ushqyese, atëherë nuk e prishin agjërimin. Këtë mendim ka përkrahur Ibn Uthejmini.
- Përdorimi i supozitorëve (qirinjve) analë nuk e prish agjërimin.
- Gastroskopi anal nuk e prish agjërimin, sepse as arrin në stomak, as është ushqyes, as forcohet trupi me të.
- Futja e gastroskopit, gypave apo ilaçeve të tjera për pastrimin e fshikëzës së urinës, apo ndonjë lënde që i ndihmon fotografimit rëntgen për t’u dukur më qartë në kanalin e urinës, nuk e prish agjërimin, sepse nuk ekziston kurrfarë lidhjeje apo daljeje mes kanaleve të urinës dhe stomakut.
- Dhurimi i gjakut i ngjan hixhames (nxjerrja e gjakut të keq nga trupi): mendimi më afërt është se hixhamja nuk e prish agjërimin. Ky është mendimi i shumicës. Së këndejmi, dhurimi i gjakut nuk e prish agjërimin.
- Marrja e gjakut për analiza të ndryshme, nuk e prish agjërimin, sepse në këtë rast nuk ka diç që e shkakton një gjë të tillë.
- Nëse vjellja shkaktohet pa dëshirën e personit, nuk e prish agjërimin. Për këtë ka konsensus (ixhma). Mirëpo, nëse personi e bën me vetëdëshirë apo e stimulon të vjellët, atëherë e prish agjërimin. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, madje imam Ibnul Mundhiri dhe el Hatabi kanë përmendur ixhmain për këtë.
Përmbledhur nga libri: “Gjërat bashkëkohore që e
prishin agjërimin”.
Përktheu: Agron Krasniqi