Përdorimi i shprehjes “NË DASHTË ALLAHU”, kur flasim për të ardhmen

Thotë Allahu i Lartësuar:

﴿وَلَا تَقُولَنَّ لِشَا۟ىۡءٍ إِنِّى فَاعِلٌ ذَٰلِكَ غَدًا﴾ (٢٣)
﴿إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ وَٱذۡكُر رَّبَّكَ إِذَا نَسِيتَ وَقُلۡ عَسَىٰٓ أَن يَهۡدِيَنِ رَبِّى لِأَقۡرَبَ مِنۡ هَٰذَا رَشَدًا﴾ (٢٤)
“Dhe mos thuaj kurrsesi për diçka: “Unë do ta bëj patjetër këtë e atë nesër.” (Kehf, 23)
“Pa shtuar: “Në dashtë Allahu”! E, kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresoj se Zoti im do të më japë një udhëzim edhe më të mirë.” (Kehf, 24)

– Dhe mos thuaj kurrsesi për diçka: “Unë do ta bëj patjetër këtë e atë nesër”! –
Ky ndalim, edhe pse i është drejtuar Profetit, vlen për të gjithë umetin.
(Së pari) Allahu na ndalon që, për çështjet që pritet të ndodhin në të ardhmen, të themi: “Unë do ta bëj”, pa e shoqëruar me fjalët “In shaa Allah”, pra, “në dashtë Allahu”. Kjo është e ndaluar, sepse kur flasim për të ardhmen, flasim për diçka që ka të bëjë me të fshehtën, dhe ne nuk e dimë të fshehtën. Askush nuk e di a do ta bëjë atë vepër në të ardhmen apo jo, a do të ekzistojë ajo apo jo.

Së dyti, mos thënia e fjalës “në dashtë Allahu” tregon një lloj besimi se njeriu vepron tërësisht i pavarur nga dëshira dhe vullneti i Zotit, dhe kjo sigurisht që është e gabuar dhe e pamundur. I gjithë sundimi është në dorën e Zotit dhe do të ndodhë veçse ajo që Zoti do dhe e lejon, siç thuhet në Kur’an: “Ai (Kurani) është veçse këshillë për njerëzit, për këdo prej jush që dëshiron të përqendrohet. Po ju nuk mundeni të dëshironi, pa dëshiruar Allahu, Zoti i botëve!” (Tekuir 27 – 29].

– Pa shtuar: “Në dashtë Allahu.” –
Së treti, përmendja e lejes dhe dëshirës së Zotit përpara si kusht për realizimin e dëshirës tënde tregon edukatën me Zotin nga njëra anë, por edhe sjell lehtësim dhe bereqet, sjell plotësim e ndihmë për realizimin e saj, nga ana tjetër.
Kur thotë “in shaa Allah”, njeriu tregon se po i mbështetet Allahut.

Por duke qenë se njeriu është i prirur të harrojë, ndodh që ai të mos e thotë këtë fjalë ndonjëherë, prandaj Allahu e urdhëron që ta përmendë këtë më pas, kur të kujtohet, dhe kështu shlyhet gabimi, siç thotë Allahu:
– E, kur të harrosh, përmende Zotin tënd… –
Nëse harron në fillim, përmende Allahun atëherë kur të kujtohesh. Kështu porositet çdokush që harron, në mënyrë që gjithmonë të kujtojë Zotin dhe të mos bëhet neglizhent.
Njeriu gjithmonë ka nevojë për Zotin, që Ai ta drejtojë e udhëzojë në çdo fjalë e punë që kryen dhe ta ruajë nga gabimet dhe devijimet, prandaj Zoti e urdhëron të thotë:
– dhe thuaj: “Shpresoj se Zoti im do të më japë një udhëzim edhe më të mirë”! –
Ajeti urdhëron që njeriu ta lusë Zotin e të shpresojë tek Ai, të ketë besim e siguri të plotë në Të se Ai do ta udhëzojë në rrugën më të shkurtër dhe më të mirë për arritjen e së mirës dhe mbarësisë.
Njeriu, i cili ka të tilla cilësi e dobësi, duhet patjetër t’i kërkojë Zotit udhëzimin dhe mbarësinë, në mënyrë që Ai t’i japë sukses. Le t’i përgjërohet Zotit që ta ndihmojë dhe t’i japë udhëzimin e drejtë në të gjitha çështjet.

Përzgjedhur nga tefsiri i Sa’dit.