Në disa shkrime islame përdoren shprehje si:
“Xhumaja është dhuratë” dhe “Salavatet janë aromë që ngjitet drejt qiellit.”
E dimë që këto nuk janë hadithe, por përdoren si përshkrime që lidhen me vlerën e ditës së xhumasë dhe dërgimin e salavateve – bazuar në hadithin sahih:
“Dërgoni salavate për mua ditën e xhumasë, sepse ato më paraqiten mua.”
(Ibn Huzejme – sahih)
Pyetja është:
A lejohet të përdoren këto shprehje në ligjërata apo shkrime si përshkrime të pranueshme dhe të kuptueshme për zemrat, apo konsiderohen si të paargumentuara dhe të rrezikshme në kuptimin e shpikjeve në fe?

 Përgjigja:

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

● Fillimisht tendenca për të përshkruar çdo term fetar me gjuhë emocionale “të pranueshme për zemrën” është e rrezikshme, sepse:
1- i zbeh kuptimet reale,
2- e zëvendëson dritën e shpalljes me mjegull të përjetimeve personale,
3- dhe mund të kthehet në stil tipik të kulturave ezoterike.

● Shprehja: “Xhumaja është dhuratë” nëse kuptimi i saj është se xhumaja është një moment ku njeriu relaksohet, ndjehet mirë me veten, merr paqe e balancë emocionale, gjen ‘energjinë pozitive’ që i mungonte gjatë javës; atëherë kjo nuk lejohet sepse xhumaja nuk është thjesht dhuratë, por urdhër hyjnor dhe shenjë dalluese e këtij umeti.
– Kur thuhet: “Xhumaja është dhuratë”, pa sqarim, tingëllon si një shprehje e mjegullt, që e shkëput xhumanë nga konteksti i saj ligjor (hutbe, falje e namazit të xhumasë në xhemat), dhe si rrjedhojë nëse e quajmë “dhuratë”, duhet të sqarojmë kush e dha, për kë e dha, dhe pse është dhuratë nga këndvështrimi i shpalljes, jo i komoditetit.

● E njëjta situatë është dhe me shprehjen: “Salavatet janë aromë qiellore” ku ngatërrimi me gjuhën e “energjeve shpirtërore” mund të shkasë lehtësisht në stil ezoterik, i cili nuk është pjesë e gjuhës së shpalljes. Kështu, salavati, që është adhurim konkret, me qëllim dhe formë të saktë, rrezikon të shndërrohet në një ndjesi që “ngjitet lart” si një tym.
Në vend që të theksojmë se salavatet janë urdhër nga Allahu në Kuran:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ …),
se është shenjë dashurie dhe respekti për Profetin ﷺ, dhe se është shpërblyese dhe ndërmjetësuese për veten tonë në Ditën e Kiametit; mbarojmë duke e parë si një “aromë ndjenjash”, që është e bukur por e papërcaktuar dhe ky është rrezik i madh që po i kanoset termonologjisë fetare Islame.

● Me keqardhje përzierja me terminologji të huaj ndaj Islamit “aromë”, “energji”, “dritë që ngjitet”, “valë shpirtërore”, janë shprehje që për shumë njerëz nuk janë më metafora, por koncepte të formuara, shpesh të huazuara nga spiritualizma ezoterike (New Age, sufizëm filozofik, etj.); dhe e ngatërrojnë realitetin e ibadetit me një përjetim emocional.
Përpjekja për ta bërë fenë “të pranueshme për ndjesitë moderne” duke e “zbutur” gjuhën e saj, është një rrugë e rrezikshme. Kjo përfundon duke krijuar një fe që nuk buron nga shpallja, por nga ndjesitë. Ndaj mbrojtja e terminologjisë korrekte është ruajtje e fesë, jo thjesht ndjeshmëri gjuhësore.

● Këshilloj veten dhe tjerët që:
1. Të kthehemi te gjuha e shpalljes, që është më e bukur dhe më e kthjellët se çdo frazë moderne.
2. Të analizojmë çdo përshkrim që na serviret si bashkëkohor:
A e shpreh realitetin siç është?
A është e bazuar në Kuran, sunet ose në shpjegimet e dijetarëve?
A rrezikon të shndërrojë një çështje të shenjtë në përjetim personal subjektiv?
3. Të mos turpërohemi nga gjuha e saktë e fesë, edhe nëse duket “e ashpër” për veshët modernë. Ajo nuk është e ashpër është e drejtë, e prerë dhe e sinqertë.
Në këtë mënyrë, ruajmë sinqeritetin e ibadetit, pastërtinë e besimit, pa ia mohuar zemrës të drejtën për të ndjerë, por gjithmonë në dritën e shpalljes, jo në hijen e ndjesive.

Allahu e di më së miri.

Dr. Adelina Kuçana