Pyetja:

I nderuar shejh, çështja e arsyetimit me injorancë përsëritet shumë. Ky dëgjues pyet: “Kam dëgjuar se ai që tallet/luan hajgare me fenë është jobesimtar. A është i barabartë në këtë rast ai që e di se një gjë e tillë e nxjerr njeriun nga feja me atë që nuk e di këtë gjë?

Në fe ka gjëra në të cilat njeriu arsyetohet për shkak të injorancës/xhehlit. E cilat janë ato në të cilat nuk justifikohet? Shpresoj nga Allahu, pastaj nga ju, që ta shpjegoni këtë çështje në mënyrë të plotë, sepse disa njerëz e përhapin se injoranca/xhehli është justifikim dhe e përdorin këtë si pretekst.”

Përgjigjja:

Kush jeton mes muslimanëve nuk arsyetohet me injorancë në këto çështje. Tallja me fenë është dalje nga Islami, lënia e namazit është dalje nga Islami, mohimi i detyrimit të namazit është dalje nga Islami.

Po kështu sharja e Allahut, sharja e të Dërguarit, tallja me Allahun ose me të Dërguarin, të gjitha këto janë dalje nga Islami (ar. riddeh).

Nuk ka arsyetim me injorancë në këto çështje, për atë që jeton mes muslimanëve, edhe nëse thotë se nuk e ka ditur, sepse këto janë prej gjërave që medoemos njihen nga muslimanët, e nuk i mbeten të fshehta askujt.

Po kështu, nëse dikush thotë se zinaja (kurvëria) është e lejuar, ose alkooli është i lejuar, edhe kjo është dalje nga Islami, sepse këto janë gjëra që nuk i mbeten të fshehta askujt.

Por nëse dikush jeton në një vend të paditurije, që nuk e njeh Islamin dhe nuk jeton mes muslimanëve, atëherë gjykimi i tij është si të atyre (që në fe njihen si) ehlul fetrah; nëse vdes në atë gjendje, çështja e tij i lihet Allahut dhe ai do të vihet në provë Ditën e Kiametit.

Ndërsa ai që jeton mes muslimanëve, e njeh Islamin dhe megjithatë e fyen fenë, tallet me Allahun, tallet me të Dërguarin, e lë namazin, e mohon zekatin, e mohon agjërimin e Ramazanit, e mohon detyrimin e haxhit kur është në gjendje ta kryejë, ose thotë se zinaja (kurvëria) është e lejuar, alkooli është i lejuar, mosbindja ndaj prindërve e lejuar; e tërë kjo është dalje nga Islami dhe nuk ka kurrfarë arsyetimi me injorancë në këtë.

Sepse këto gjëra janë prej çështjeve të qarta të fesë që i njohin si të diturit ashtu edhe njerëzit e thjeshtë. Po.

Moderatori: Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe ju dhëntë mirësi!

 

 

Shejh Abdulaziz ibn Bazi (Allahu e pastë mëshiruar!)
Ish-myftiu i Arabisë Saudite
(Fetva të zgjedhura nga imam ibn Bazi) – Fetvaja e tretë
Përktheu: Hoxhë Mr. Burim Koçinaj
https://t.me/hoxheburimkocinaj