Përgjigja: Dijetarët e Islamit i ndajnë veprimet e namazit në tre lloje:
Bazat (ruknet).
Detyrat (vaxhibet).
Të pëlqyeshmet (sunetet).
Gjykimi i harreses ndryshon sipas llojit të veprimit të harruar dhe kështu kemi tre raste harresash:
Rasti i parë: Kur namazliu harron një bazë (rukn) psh: fatihanë, rukunë, ngritjen nga rukuja, sexhdet etj.
Kur namazliu harron një bazë dhe ai vazhdon të jetë në namaz dhe nuk ka dalë prej tij, atëherë ai duhet të kthehet patjetër te veprimi i harruar përderisa ai nuk e ka filluar rekatin tjetër. Nëse ai e ka filluar rekatin tjetër, atëherë ai anulon atë që i ka ikur dhe llogarit rekatin e ri në vend të tij. Ndërsa kur namazliu ka dalë nga namazi atëherë ai duhet të falë një rekat të plotë për bazën e harruar dhe në të gjitha rastet e përmendura është detyrë për të sehvi sexhdja e cila duhet të bëhet pas selamit sepse është shtuar në namaz (sepse namazi -pas mbarimit po ta shikosh në tërësi ka veprime teper).
Argument për këtë gjë dijetarët marrin rastin kur profeti -alejhi selam ka dhënë selam para se të mbarojë namazin dhe nuk është mjaftuar vetëm me sehvi sexhde por ka falur rekatet e harruara dhe prandaj ata thonë se bazat e namazeve duhen të kryhen patjetër si në namaz apo jashtë namazit dhe pastaj bëhen sehvi sexhdet.
Rasti i dytë: Kur namazliu harron një detyrë (vaxhib) psh: tekbiret e zhvendosjes (janë për qëllim vetëm tekbiret dhe jo veprimet si rukuja, sexhdet sepse veprimet janë baza) apo tehijatin e parë.
Kur namazliu harron një detyrë, atëherë atij i mjafton vetëm sehvi sexhdja e cila në këtë raste është detyrë dhe bëhet para selamit sepse kemi të bëjmë me pakësim në namaz. Argument për këtë është hadithi i tehijatit të parë për të cilin profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur të falet ndonjëri prej jush dhe ngrihet nga ulja (e tehijatit të parë), nëse nuk është ngritur plotësisht të ulet dhe nuk i kërkohen dy sexhdet dhe nëse është ngritur plotësisht, të vazhdojë namazin dhe të bëjë dy sexhde ku të ulet (pas tehijatit të dytë)”
E transmeton Tahauiu dhe e saktëson Shejh Albani.
Rasti i tretë: Kur namazliu harron një të pëlqyeshme (sunet) psh: duaja e fillimit të namazit, surja pas fatihasë, dhikri i rukusë dhe i sexhdes, duaja pas rukusë dhe sexhdes, duaja pas tehijatit të fundit dhe selami i dytë.
Kur namazliu harron një të pëqyeshme atëherë atij i mjafton sehvi sexhdja sepse profeti -alejhi selam- thotë: “Për çdo harresë ka dy sexhde”
E transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe dhe e saktëson Shejh Albani.
Sehvi sexhdja për këtë rast në ndryshim nga rasti i dytë nuk është detyrë sepse ajo nuk mund të ketë gjykim më të rëndë sesa vetë veprimi i harruar i cili në këtë rast është sunet siç thotë Imam Sheukani -Allahu e mëshiroftë-.
/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/




