Përgjigje nga hoxhë: Hariz Allkoçi:

Falënderimi i takon Allahut…

 

Namazi me xhemat dhe rreshtat (safeve)

Namazi me xhemat që falet në xhami apo jashta saj ka dispozitat e tij, si: drejtimin dhe plotësimin e rreshtave (safeve), mos lënien e boshlliqeve, dhe është obligim në çdo kohë dhe vend drejtimi dhe plotësimi i rreshtave dhe nuk përjashtohen këto rregulla vetem se në raste të veçanta.

Ndërsa bashkimi i supeve dhe këmbëve gjatë faljes së namazit me xhemat është sunet.

Argumentet për bashkimin e supeve dhe këmbëve

▣Argument për këtë është hadithi i Enes ibni Malikut -se Profeti -salaAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë: “Rregulloni safet! Unë ju shoh edhe pas shpine”. Thotë Enesi: ”Dhe ishim që e bashkonim (ngjisnim) supin me supin e tij që ishte pranë dhe këmbën me këmbën e tij”.

Transmeton Imam Buhariu nga Numan ibni Beshiri i cili ka thënë:“Dhe i shikoja burrat se si i bashkonin nyjet e këmbëve me njëri – tjetrin”.

Argumentet për plotësimin e rreshtave (safeve)

Argumentet që tregojnë për plotësimin e rreshtave (safeve), mos lënien e boshlliqeve: plotësimi i safit të parë, safit të dytë, të tretë, e kështu me rradhë, janë të shumta, por do të përmendim disa prej tyre:

Është transmetuar se Profeti -salaAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë:

“Drejtoni dhe plotësoni safët, sepse drejtimi dhe plotësimi i safëve është prej plotësimit të namazit”. [Transmeton Muslimi]

Ashtu siç është transmetuar nga Enesi -Allahu qoftë i kënaqur me të- se Profeti -salAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë: “Plotësojeni safin e parë, pastaj atë që vijon (safin e dytë) dhe nëse ka mangësi (nuk plotësohet safi), le të jetë kjo në safin e fundit” [Transmeton Ahmedi, Ebu Daud dhe Nesai, dhe hadithi është i saktë].

Në një transmetim tjetër nga Ibn Umeri -Allahu qoftë i kënaqur me të- se Profeti salAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë:

“Plotësoni rrreshtat (safët), bashkoni supet, plotësoni boshlliqet. Jeni të butë me vëllezërit tuaj dhe mos lini boshlliqe për shejtanin. Kush e plotëson rreshtin e ndërprerë, Allahu do ta plotësojë atë (me Mëshirën dhe Mrësinë e Tij) kush e ndërpren rreshtin (safin), Allahu do ta ndërpres (Mëshirën dhe Mirësinë e Tij) ndaj atij besimtari i cili e ndërpren safin”. [Ahmedi dhe Ebu Daud].

Gjykimi për drejtimin dhe plotësimin e rreshtave

Dhe këto hadithe tregojnë se është obligim plotësimi dhe drejtimi i rreshtave (safeve).

Thotë shejhul- Islam, Ibn Tejmijeh -Allahu e mëshiroftë-

“Namazi me xhemat është emërtuar si i tillë për shkak të bashkimit të muslimanëve në adhurim (namaz) në të njëjtin kohë dhe vend dhe janë urdhëruar që të qëndrojnë (rradhiten) në rreshta, dhe se Profeti -salAllahu alejhi ue sel-lem- i ka urdhëruar që të bashkohen me njëri – tjetrin dhe të mos lenë boshlliqe në saf: duke filluar nga safi i parë në të dytin dhe kështu me rradhë. Dhe e gjitha kjo për shkak të realizimit të këtij bashkimi në mënyrën më të mirë sipas mundësisë. Dhe nëse nuk do të ishte rreshtimi në këtë mënyrë obligim, atëherë do të ishte lejuar që të qëndronin njeri pas tjetrit e kështu me rradhë (në safe të ndarë). Dhe këtë e di çdokush që sado pak dije të ketë që nëse ndahen në safe të ndryshme ky nuk është më namazi me xhemat i muslimanëve. Dhe nëse ky veprim do të ishte i lejuar do ta kishte bërë atë Profeti -salAllahu alejhi ue sel-lem- dhe shokët e tij ose selefët qoftë edhe një herë të vetme”.

Të njëjtën gjë që ka thënë shejhul- Islam e ka konfirmuar edhe Shejh Ibni Uthejmini -Allahu i mëshiroftë-.

 

Çështje bashkëkohore

Nëse njerëzit shkojnë në xhami dhe falen të ndarë, sikurse po veprohet në disa xhamia ku njerëzit falen larg njeri – tjetrit, nga rregulloret që kanë vënë instuticionet, namazi në këtë gjendje jo të bashkuar në rreshta (safe) është i saktë, mirëpo qëndron problemi tek xhemati: a konsiderohet se ky namaz është falur me xhemat apo merr gjykimin se gjithsecili është falur vetëm dhe pa xhemat?