Llojet e shitblerjes të cilat i ka ndaluar sheriati

01 – Bej’ul-garar:

E cila është çdo shitblerje që përmban mosnjohuri (të fshehta që nuk i di njëra palë apo të dyja) ose që përmban rrezikshmëri apo kumar.

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes së plotë të mallit).” [Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud, Ibnu Maxheh, Nesai Sahih] (Shitja me guraleca është një lloj tregtie e cila praktikohej në kohën e injorancës dhe kryhej duke hedhur disa guraleca mbi mall dhe malli ku binin guralecat bëhej i detyrueshëm të blihej.)

Thotë imam Neveviu (RahimehUllah) në komentimin e tij të Sahihi të Muslimit: “Shitja e gararit është një bazë e madhe prej bazave të kapitullit të shitblerjeve dhe për këtë shkak Muslimi e filloi këtë kapitull me të. Në këtë lloj shitblerje hynë shumë çështje të pakufizuara, siç është shitja e të arratisurit, shitja e asaj që nuk ekziston, shitja e asaj që nuk e njeh, asaj që nuk ke mundësi ta dorëzosh te blerësi, asaj që nuk e ke akoma në pronësi, shitja e peshkut që është në ujin e detit apo lumit, e qumeshtit në gji, e asaj që ndodhet në barkun e kafshës barsë, e një rrobeje prej rrobeve (e papërcaktuar), një dashi prej deshëve e të tjera si këto shitblerja e të cilave është batil-e kotë, e papranueshme, e palejuar, sepse është gabim (verbëri) i panevojshëm. Por nëse nevoja kërkon ndonjëherë që të kryhet ndonjë lloj garari (gabimi verbërisht) dhe nuk është e mundur të ruhesh prej tij vetëm se me stërmundime, dhe nëse gabimi është i arsyetueshëm, atëherë lejohet shitblerja. Duke u nisur prej këtu, muslimanët janë bashkuar në mendimin se shitblerja e xhybes së mbushur (me pambuk a diçka tjetër) është e lejuar edhe nëse ata nuk e hapin për ta parë çka Brenda. Por nëse shitet vetëm mbushja e saj, atëherë kjo shitblerje nuk lejohet. Dije se shitja e të prekurit (nëse prek mallin atëherë duhet t’a blesh atë që preke), shitja e litarit (ato që kap litari që zgjat je i detyruar t’i blesh), shitja e guralecave, e të tjera si këto, janë prej shitblerjeve për të cilat kanë ardhur tekste të veçanta (në ndalimin e tyre) dhe të gjitha ato hyjnë në ndalimin e shitjes së gararit (verbërisë), por ato janë përmendur të veçuara për shkak se kanë qenë prej shitblerjeve të njohura në kohën e injorancës, para Islamit dhe Allahu e di më së miri.” Mbaroi fjala e Imam Neveviut (RahimehUllah).

Shitja me të prekur dhe me të hedhur:

Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) se ka thënë: “Jemi ndaluar prej dy shitblerjeve: shitja me të prekur (el-mulamese) dhe shitja me të hedhur (el-munabedhe): El-mulamese është prekja e çdonjërit prej të dyve rroben (plaçkën) e tjetrit pa dashje, kurse el-munabedhe është hedhja e çdonjërit prej atyre dyve rroben e tij tek tjetri pa parë njëri prej tyre rroben e tjetrit.” [Muslim Sahih]

Ebu Seid El-Hudri (radijAllahu ‘anhu) thotë: “Na ka ndaluar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga dy shitblerje dhe dy veshmbathje: Na ka ndaluar nga shitblerja me të prekur dhe me të hedhur: të prekurit (el-mulamese) është të prekë një burr rroben e një tjetri me dorën e tij, natën apo ditën dhe është i detyruar ta blejë atë, kurse të hedhurit (el-munabedhe) është të hedhë një burr rroben e tij tek një tjetër dhe ai tjetri të hedhë rroben e tij tek ky i pari duke qenë kjo shitblerja e tyre pa marrë parasysh pranimin apo pëlqimin.” [Muttefekun alejhi]

Shitja e të voglit të të voglit të barsës:

Ibnu Umeri (radijAllahu ‘anhuma) ka thënë: “Njerëzit në kohën e injorancës kryenin shitblerjen e mishit të këlyshëve deri në këlyshin e këlyshit të barsës, dhe këlyshi i barsës është që të pjellë deveja dhe pastaj të mbarset këlyshi i saj që ajo polli. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i ndaloi ata nga kjo shitblerje.” [Muttefekun alejhi]

Shitja me guraleca:

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes plotësisht të mallit).” [Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud, Ibnu Maxheh, Nesai Sahih]

Thotë imam Neveviu (RahimehUllah) në komentimin e Sahihut të Muslimit: “Përsa i përket shitjes me guraleca, në domethënien e saj ka tre mendime: I pari: Që të thotë shitësi: të kam shitur ato rroba mbi të cilat do të bjenë këto gurë që do të hedh, ose të kam shitur pjesën e tokës prej këtu e deri atje ku do të shkojë ky guri. I dyti: Që të thotë shitësi: Të kam shitur atë që do zgjedhësh deri sa të hedh gurin. I treti: Që ta quajnë hedhjen e gurit shitje dhe të thotë: Nëse e godet këtë rrobë me gurë, atëherë e ke blerë me kaq lek.”

02 – Shitja e diçkaje që nuk e posedon në të vërtetë:

Hakim bin Hizam (radijAllahu ‘anhu) thotë: I thashë të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Nëse dikush më kërkon t’i shes diçka që nuk më ndodhet, a t’ia shes atij?” Ai tha: “Mos shit atë që nuk ndodhet tek ti!” [Ibnu Maxheh, Tirmidhi, Ebu Daud Sahih]

03 – Shitja e mallit që ke blerë para se ta marrësh në dorë:

Ibnu Abasi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush blen një ushqim, most a shesë atë para se t’i dorëzohet in dorë!” Thotë Ibnu Abasi: “Dhe çdo gjë tjetër llogaritet si ushqimi.” [Muttefekun alejhi]

Transmeton Tausi nga Ibnu Abasi se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush blen një ushqim, mos t’a shesë atë deri sa t’a peshojë!” I thashë Ibnu Abasit: “Përse kështu?” Ai tha: “A nuk i sheh disa që shesin e blejnë me arë (flori) kurse ushqimi vonohet?” [Muttefekun alejhi]

04 – Shitja mbi shitjen e vëllait tënd (tregtarit tjetër):

Ibnu Umeri (radijAllahu ‘anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sallAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Askush prej jush mos të shesë mbi shitjen e vëllait të tij!” [Muttefekun alejhi] (duke i thënë blerësit që është tek tregtari tjetër duke bërë pazar, hajde blije tek unë me kaq lek, më pak se sa i tha i pari).

05 – Shitja e Ijnes (me hile):

Kjo është ajo shitje që bëhet duke i shitur një mall dikujt dhe lekët me të pritur deri në një afat të caktuar, pastaj blerësi ia shet të njëjtin mall atij që ia bleu por me lekët në dorë dhe më pak se sa e bleu. Kjo është një lloj kamate me hile, sepse në fakt ai nuk donte mallin por lekët borxh.

Ibnu Umeri (radijAllahu ‘anhuma) transmeton se i Dërguari i Allahut (sallAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Në kohën kur të blini e shisni me hile (ijneh), të shkoni pas bishtit të lopës (pasurirë së kësaj bote), të pëlqeni të mbjellat dhe të lini xhihadin, atëherë Allahu do hedhë mbi ju përçmim e përulje dhe nuk do ta heqë atë prej jush deri sa t’i ktheheni fesë tuaj.” [Ebu Daud Sahih]

06 – Shitja me afat duke rritur çmimim (shitja me këste):

Eshtë përhapur këto kohë shitja me afatizim dhe me rritje të çmimit origjinal të mallit e cila njihet me emrin: shitja me këste. Siç është e njohur, kjo shitje bëhet duke shitur mallin me këste dhe duke shtuar në çmimin e tij kudrejt kohës së shtyrë si p.sh. të jetë çmimi i mallit një mijë $ dhe të shitet me këste një mijë e dyqind $. Kjo lloj shitje është e ndaluar.

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush bën dy shitje në një shitje, ose t’a prishë njërën, ose ka ngrënë kamatën.” [Ebu Daud Hasen]

Burimi: “RREGULLAT E SHITBLERJES NË ISLAM.”
Autor: Abduladhim ibën Bedevi el-Halefi