Pyetje: E kuptoj se nuk është e saktë që njeriu të vendosë parfum në trup pasi ka hyrë në gjendjen e ihramit. A lejohet që një muhrim ta prekë pjesën e parfumosur të Qabes duke ditur se ka mundësi që pak parfum të mbetet në duart e tij? Mendoj se ka dallim mes vendosjes së parfumit në trup dhe kontaktit me parfum duke prekur një send të parfumosur, por e kuptoj se arsyetimi im mund të jetë i gabuar.

Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.

Personit që është në gjendjen e ihramit për haxh apo umre i ndalohet që me vetëdije të vendosë parfum në trupin e tij, ose të prekë diçka të parfumosur në atë mënyrë që parfumi të kalojë tek ai që e prek.

Nuk ka dallim mes këtyre dy rasteve, sepse rregulli bazë është se parfumi është i ndaluar në çdo formë për personin që është në ihram.

Prandaj, nëse personi në ihram për haxh apo umre e prek me vetëdije parfumin që është vendosur në Qaben e Shenjtë, dhe ai parfum është i njomë, atëherë ai duhet të japë kompensim.

Është përmendur në El-Umm nga Imam Shafiu rahimehullah:

“Nëse e prek khaluq-un (parfumin) e Qabes ndërsa është i thatë, atëherë nuk ka kompensim mbi të, sepse nuk kalon tek ai dhe as nuk mbetet era e tij në trupin e tij. Por nëse e prek khaluq-un ndërsa është i njomë, atëherë duhet të japë kompensim.”

Kompensimi i kërkuar në këtë rast është njëra nga këto tri gjëra:

* agjërimi i tre ditëve
* ushqimi i gjashtë të varfërve, ku secili merr gjysmë sa’a (1088 gram) nga ushqimi bazë i vendit
* ose therja e një deleje

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: Islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net