Pyetje: Familja ime është muslimane nga përkatësia etnike, që do të thotë se paraardhësit tanë kanë qenë muslimanë, por në ditët e sotme, në përgjithësi, njerëzit tanë nuk e praktikojnë Islamin dhe dinë shumë pak rreth tij, përveç faktit që besojnë në Allahun. Mbesa ime, e cila kohët e fundit ka filluar të mësojë vetë rreth Islamit dhe të falë namazin, po martohet me një burrë jomusliman. A më lejohet të marr pjesë në këtë dasmë, ose në një pjesë të saj, për të ruajtur lidhjet farefisnore, apo më ndalohet të marr pjesë në dasmë në tërësi?

Përgjigje: Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet e përsosura i takojnë Allahut, Zotit të botëve…

Nëse motra juaj është muslimane, atëherë duhet ta informoni se është e ndaluar që një grua muslimane të martohet me një burrë jomusliman, për shkak të urdhrit të Allahut, kuptimi i të cilit është:

“Dhe mos i martoni gratë besimtare me idhujtarët derisa ata të besojnë.” [Kurani, 2:221]

(Ky ndalim përfshin edhe kategoritë e tjera të jomuslimanëve.)

Megjithatë, nëse ajo këmbëngul që [ta lejojë vajzën e saj] të martohet [me një jomusliman], atëherë nuk lejohet [për ju] të merrni pjesë në atë dasmë, sepse prania juaj do të konsiderohej si miratim i një kontrate që është e pavlefshme sipas Islamit dhe si mirëseardhje ndaj një mëkati të madh. Muslimanit i ndalohet të jetë dëshmitar i veprave të këqija dhe të jetë i kënaqur me to.

Për më tepër, mosmarrja pjesë në tubime dhe ngjarje të tilla nuk konsiderohet ndërprerje e lidhjeve farefisnore. Përkundrazi, kjo është bindje ndaj Allahut.

Së fundi, sa i përket mbesës suaj, duke qenë se ajo nuk është e njohur me dispozitat e Islamit dhe sapo ka filluar të mësojë rreth tyre dhe t’i praktikojë, ka mundësi që edhe ajo të mos e dijë dhe të mos jetë në dijeni të dispozitës për këtë çështje. Prandaj, ajo duhet të informohet me urtësi dhe butësi. Gjithashtu, duhet të jetë kusht për këdo që dëshiron të martohet me të që të bëhet musliman para lidhjes së kontratës martesore, në mënyrë që martesa të jetë e vlefshme.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamweb.net/ Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net