Pyetja: Pronari i mallit i thotë [blerësit]: „Nëse paguan me para në dorë, këtë mall ta shes për aq për shembull, 10,000 euro. Por, nëse pret [për pagesën] ose e merr me këste, atëherë e dua për 12,000 euro.“
Përgjigjja:
Mirë, a lejohet kjo?
Sipas shumicës së dijetarëve, kjo gjë nuk përbën problem. Nuk ka problem, sepse kjo formë hyjnë në kuadrin e ajeteve dhe haditheve të përgjithshme që flasin për shitblerjen. Domethënë, thjesht pronari i mallit të thotë: „Nëse dëshiron ta blesh me para në dorë, e ke me këtë çmim. Nëse dëshiron ta marrësh me këste, ose nëse dëshiron ta marrësh me vonesë [veresi], atëherë e ke më shtrenjtë. Zgjidh cilën të duash nga këto opsione.“
Mirëpo, këtu ka një kusht që duhet plotësuar. Kushti është që akti i shitblerjes të përmbylet me njerën nga këto marrëveshje, dhe të mos lihet i hapur. Domethënë, nuk mund të thuhet: „Po e marr mallin e po t’i sjell paratë për dy ditë me këtë çmim, e nëse vonohem, po e marr me çmimin tjetër.“ Kjo nuk lejohet, sepse çmimi duhet të jetë i prerë. Prej kushteve të aktit të shitblerjes është që pazari të përfundojë dhe çmimi të jetë i caktuar saktësisht në momentin që bëhet marrëveshja.
Kështu që, blerësi zgjedh njërën ose tjetrën. Pronari i mallit në këtë rast të jep dy opsione, dhe ti zgjedh atë që është më e favorshme për ty.
Mirë, pse pronari i mallit kërkon më shumë [në rastin me këste]?
Kërkon më shumë për arsye se nuk është njësoj si t’i marrësh paratë të gjitha menjëherë – në momentin që e shet mallin – e pastaj t’i investosh apo të punosh me to, me rastin kur paratë të jepen pjesë-pjesë ose me vonesë. Sepse, nëse paratë jepen pas një viti apo më vonë, e njëjta shumë nuk e ka të njëjtën vlerë; ka inflacion, ka zhvlerësim të parasë.
Prandaj, thjesht ai kërkon diçka që është legjitime. Ai nuk të detyron, nuk të kushtëzon dhe as nuk të obligon për asgjë; thjesht të thotë të zgjedhësh cilën formë dëshiron: nëse i sjell paratë në dorë e ke me këtë çmim, nëse e merr me veresi, e ke me atë çmim. Dhe kjo, siç e thamë, nuk përbën problem tek shumica e dijetarëve.
Ndërsa blerësi, a fiton gjë në këtë mes?
Po, fiton edhe blerësi. Për arsye se, ndonëse e paguan më shtrenjtë, ai nuk e ka presionin dhe ngarkesën për t’i bërë të gjitha paratë bashkë e për të kryer pagesën menjëherë (gjë që mbase nuk ka mundësi ta bëjë). Përkundrazi, ai e paguan me këste, e paguan me rrata, ose e merr me afat në mënyrë që të ketë kohë t’i grumbullojë paratë për pagesë.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha




