Pyetja:

Para disa ditëve kam shkruar që jetoj në mërgim dhe punoj në shtëpi të pleqve. Burri im nuk punon, e kam këshilluar shumë herë që të punon por nuk dëshiron të punojë. Kam dëgjuar që është haram shteti të jep social. Çka të bëj tani? A e marr unë këtë gjynah nëse e lë punën pasi burri nuk punon e unë nuk e kam obligim? Obligimi im është edukata e fëmijës.

***

Përgjigjja:

Pyetjes suaj i jemi përgjigjur siç ju patët përmendur se burri i juaj nuk punon, pa përmendur arsyen, kurse tani thoni se ai nuk do të punojë. Sido që të jetë mëkati për mospunën e tij dhe shfrytëzimi i padrejtë i juaj i ndihmës sociale nuk bie mbi ju, por mbi atë që është i obliguar ta sjellë kafshatën e bukës për vete, për ju dhe për fëmijët e juaj, në këtë rast mbi bashkëshortin tuaj. E juaja është që atë ta këshilloni e jo ta merrni përgjegjësinë e tij dhe ta lëni pas shpine përgjegjësinë tuaj të edukimit të fëmijëve.

Motër muslimane, dua t’ua them drejtpërdrejt dhe pa tendencë një gjë, që më bën të çuditem. Si e keni dëgjuar dispozitën e marrjes së ndihmës sociale e nuk keni dëgjuar se është haram i drejtpërdrejtë për ju të mos i falni disa kohë të namazit dhe ta hiqni shaminë, siç keni përmendur në përgjigjen e kaluar.

Nëse fare nuk keni dëgjuar për këtë që është primare dhe e di çdo musliman i thjeshtë, kurse keni mësuar për ndihmën sociale dhe shfrytëzimin e saj, për të cilën mund të mos jenë mjaft të informuar edhe hoxhallarë, është shumë gjë e çuditshme. E nëse atë e keni dëgjuar dhe e keni ditur, por keni pyetur në mos ne po “ua bëjmë hallall”, atëherë kjo është jo-etike. Përndryshe nëse guxoj të gjykoj përmjet pyetjes suaj, ju sikur e parapëlqeni të punoni qoftë edhe duke i rrezikuar namazet dhe duke mos e diskutuar fare çështjen e shamisë. Një gjë ta dini se Allahu me hollësi i di zemrat e njerëzve dhe qëllimet e tyre, Ai nuk mund të mashtrohet në asnjë mënyrë, pavarësisht fetvasë që mund ta merrni nga ndonjë hoxhë.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku