Përgjigja: Për ta kuptuar këtë çështje, dijetarët sjellin shembuj praktikë. Për shembull, dy persona që jetojnë në gurbet ndodhen në Kosovë dhe njëri i thotë tjetrit: “A ma jep një mijë euro, ndërsa kur të shkojmë në Zvicër t’i kthej në franga?”

Nëse një marrëveshje e tillë lidhet që në fillim, ajo nuk lejohet dhe është e ndaluar. Kjo ndodh për shkak se konsiderohet si këmbim valute (euro me franga), ku njëra nga palët vonohet në dorëzim, ndërsa kushti kryesor i këmbimit të monedhave është që ai të kryhet dorë-dorë (menjëherë). Prandaj, një formë e tillë është e ndaluar.

Megjithatë, nëse huadhënësi thotë: “A ma jep një mijë euro, kur të shkojmë në Zvicër do t’i kthej”, pa përmodur fare kthimin në franga apo euro, dhe mbetet që huaja të jetë dhënë thjesht në euro, situata ndryshon.

Kur shkojnë në Zvicër dhe vjen dita e shlyerjes së borxhit, huamarrësi i thotë: “A bën që t’i kthej në franga?” Në këtë rast, kthimi i borxhit me një monedhë tjetër lejohet, por vetëm nëse plotësohen tri kushte:

Kushtet e lejes

Nëse marrim borxh në një monedhë dhe dëshirojmë ta kthejmë në një monedhë tjetër, kjo lejohet duke i plotësuar këto kushte:

1. Pajtimi i palëve

Kushti i parë është pajtimi i dyanshëm i palëve. Kjo ndodh sepse mund t’i duhen franga atij që ka dhënë euro, ose anasjelltas, dhe në këtë mënyrë përshtaten sipas nevojës së tyre. Nëse të dy palët pajtohen, atëherë kalitet te kushti i dytë.

2. Koha e dakordimit

Kushti i dytë kërkon që dakordimi për monedhën tjetër të bëhet pikërisht në ditën e shlyerjes dhe kthimit të borxhit, e jo në ditën kur është lidhur marrëveshja e parë e borxhit. Siç u shpjegua: nëse merret borxh euro dhe në ditën e kthimit në Zvicër pyetet për kthimin në franga, kjo lejohet përmes kushteve të duhura.

3. Çmimi i ditës

Kushti i tretë kërkon që llogaritja të bëhet sipas kursit të këmbimit (çmimit) të euronit në atë ditë kur po kthehet borxhi. Nuk merret për bazë vlera ose çmimi që ka pasur euro në Kosovë ditën kur është marrë borxhi, por llogaritet vlera e saktë në momentin e shlyerjes.

Argumenti nga Suneti

Si argument për këtë shërben veprimi i Abdullah bin Omerit (radijallahu anhu), i cili thotë: “Blija deve me dinarë (ari) dhe pastaj ia ktheja borxhin… ia ktheja me dirhemë (argjend); ose blija me dirhemë dhe ia kryeja borxhin pastaj me dinarë.”

Kur e pyeti Pejgamberi (alejhi selam) për këtë çështje, ai i tha: “Nuk prish punë me e bërë këtë punë, domethënë me e kthye borxhin me një monedhë tjetër, nëse bëhet sipas çmimit të ditës kur e kthejnë borxhin.”

Në përmbledhje, që ky veprim të jetë i lejuar, kërkohet pajtimi paraprak i palëve në ditën e kthimit, të mos jetë i kushtëzuar në fillim të marrjes së borxhit, si dhe kthimi të bëhet sipas çmimit të ditës së shlyerjes.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha