Pyetja: Cila është dispozita e kthimit të mallit te pronari i dyqanit dhe e detyrimit të tij për t’ia kthyer blerësit shumën e paguar?
Gjithashtj shprehja e shitësit: “Paratë nuk kthehen”, çfarë dispozite ka? A kanë këto mbështetje në Sheriat?
Përgjigjja: Kjo shprehje përmban diçka të saktë dhe diçka të gabuar.
Pjesa e saktë është se, nëse shitblerja përfundon dhe të dyja palët ndahen, pastaj blerësi dëshiron ta kthejë mallin pa ndonjë shkak, shitësi nuk e ka detyrim të pranojë zgjidhjen e marrëveshjes.
Kjo mbështetet në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ:
“Shitësi dhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes për sa kohë që nuk janë ndarë.”[1]
Megjithatë, është e pëlqyeshme që shitësi ta pranojë kthimin dhe të tregohet zemërgjerë në shitblerje; për këtë ka shpërblim.
Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush ia pranon një muslimani zgjidhjen e marrëveshjes së shitblerjes, Allahu do t’ia falë rënien në gabime.”[2]
Ndërsa, nëse blerësi gjen ndonjë të metë në mall, ai ka të drejtë të zgjedhë: ose ta mbajë, ose ta kthejë. 👉 Në këtë rast, shitësi e ka detyrim t’ia kthejë paratë.
Për këtë nuk ka mospajtim.
Ibn Mundhiri ka thënë:
“Dijetarët janë pajtuar njëzëri se ai që blen një mall dhe gjen në të një të metë, e cila ka ekzistuar kur malli ishte te shitësi dhe për të cilën blerësi nuk kishte dijeni, ka të drejtë ta kthejë. Nëse dikush e shet mallin duke u liruar nga përgjegjësia për të metat, ai nuk lirohet përveçse nga përgjegjësia për një të metë që ia ka bërë të qartë blerësit.”[3]
Prandaj, nuk është e saktë që kjo shprehje të shkruhet në mënyrë të #pakushtëzuar, sepse blerësi ka të drejtë ta kthejë mallin nëse gjen në të ndonjë të metë. Kthimi i mallit për shkak të një të mete ka dispozita përkatëse, të cilat duhen shikuar në librat përkatëse.
Një çështje tjetër prej së cilës mund të përfitohet është “kushtëzimi i lirimit nga përgjegjësia për të metat”. Kjo ndodh kur shitësi thotë: “Ta shita këtë mall dhe, nëse gjen në të ndonjë të metë, nuk ke të drejtë të kërkosh gjë prej meje.” Nëse blerësi pranon, shitblerja është e vlefshme, me kusht që shitësi të mos ketë pasur dijeni për të metën.
Imam Maliku ka thënë:
“Kush shet një skllav ose skllave, qoftë nga trashëgimtarët apo nga të tjerët, duke kushtëzuar lirimin nga përgjegjësia për të metat, lirohet nga përgjegjësia për çdo të metë dhe nuk mban garanci, përveç rastit kur ka pasur dijeni për një të metë dhe e ka fshehur. Nëse ka pasur dijeni për të dhe e ka fshehur, kushti i lirimit nga përgjegjësia nuk i bën dobi dhe ajo shitblerje i nënshtrohet kthimit. Sipas nesh, kjo garanci zbatohet vetëm për skllevërit.”[4]
Argument për këtë është transmetimi i Malikut nga Salim ibn Abdullahu:
“Abdullah ibn Umeri shiti një skllav të tij për tetëqind dirhemë, duke kushtëzuar lirimin nga përgjegjësia për të metat.
Blerësi i tha Abdullah ibn Umerit: ‘Skllavi ka një sëmundje që nuk ma ke treguar.’
Ata e paraqitën mosmarrëveshjen tek Uthman ibn Affani. Burri tha: ‘Më shiti një skllav që kishte një sëmundje, të cilën nuk ma tregoi.’
Ndërsa Abdullahu tha: ‘E shita duke kushtëzuar lirimin nga përgjegjësia për të metat.’
Uthman ibn Affani vendosi që Abdullah ibn Umeri t’i betohej se ia kishte shitur skllavin pa pasur dijeni për ndonjë sëmundje të tij. Abdullahu nuk pranoi të betohej dhe e mori skllavin mbrapsht. Më pas, skllavi u shërua tek ai dhe Abdullahu e shiti për një mijë e pesëqind dirhemë.”[5]
U përgjigj: Shejh Dr. Kasim Ekhilat, Allahu e ruajtë!
[1] Sahih el-Buhari, 3/64.
[2] Sunen Ebi Davud, 3/290.
[3] Ibn Mundhiri, El-Ikna, 1/262.
[4] Imam Maliku, El-Muvetta, 2/612.
[5] El-Muvetta 2/613.
https://t.me/medresejaebesimit




