Pyetja
Nëse ka hyrë dreka dhe kemi marrë rrugë, a lejohet me e shkurtuar drekën dhe me e bashkuar, edhe pse në fillim, kur ka hyrë koha, nuk kemi qenë udhëtarë?
Përgjigjja — Hoxhë Dr. Rasim Haxha
Ue alejkum selam.
Gjendja jonë me namazin gjatë udhëtimit është katër lloje, domethënë katër gjendje:
1. Namazi na zë në shtëpi, para se të nisemi
Kemi vendosur me udhëtuar, mirëpo ende nuk kemi dalë prej shtëpisë apo prej vendbanimit, dhe ndërkohë ka hyrë namazi.
Për shembull, dreka hyn në ora 12:00, kurse unë në ora 12:10 kam me dalë. Dreka më ka zënë në shtëpi, prandaj e fal të plotë. Këtu nuk ka asnjë problem.
2. Namazi na zë pasi kemi hyrë në dispozitën e udhëtarit
Jemi larguar prej vendbanimit, jemi duke marrë rrugë të gjatë dhe ka hyrë namazi.
Në këtë rast, plotësisht e shkurtojmë dhe e bashkojmë.
3. Namazi bëhet obligim në udhëtim, por e falim pasi kemi arritur në shtëpi
Për shembull, jemi duke u kthyer në shtëpi dhe ka hyrë dreka në udhëtim. Kur vijmë te shtëpia, ka hyrë ikindia. Çka bëjmë tash?
Drekën duhet me falë të plotë.
Shumica dërrmuese e dijetarëve, fukahatë e katër medhhebeve, thonë se duhet me falë të plotë, sepse të është bërë obligim në udhëtim, e ke pasur mundësinë me falë të shkurtuar, mirëpo nuk e ke falur. Ke ardhur te shtëpia. Përderisa ke ardhur te shtëpia, namazin duhet me falë të plotë dhe nuk e bashkon më.
Edhe nëse kemi arritur në shtëpi në ora 13:00, ende në kohën e drekës, por nuk e kemi falur duke qenë udhëtarë, në këtë rast duhet me falë të plotë. Kjo është gjendja e tretë.
4. Namazi bëhet obligim në vendbanim, por e falim pasi kemi marrë rrugë
Kjo është gjendja për të cilën pyetet.
Për shembull, dua me shku në Zvicër apo në Evropë. Dal prej shtëpisë në ora 12:00. Në ora 12:00 ka hyrë dreka, mirëpo e kam lënë namazin me falë në aeroport.
Disa dijetarë thonë se e fal të shkurtuar. Disa thonë se e fal të plotë.
Ata që thonë se e fal të shkurtuar, arsyetojnë se tashmë ke kaluar në gjendjen e udhëtarit.
Ndërsa ata që thonë se e fal të plotë, thonë se në momentin kur të është bërë obligim namazi, ti ke qenë në vendbanimin tënd, në shtëpinë tënde, dhe e ke pasur obligim me falë të plotë. Prandaj duhet me falë ashtu siç të është bërë obligim.
Është çështje diskutabile mes dijetarëve, mirëpo për mendimin tim, më mirë është me falë të plotë. Sepse nëse e fal të plotë, askush nuk thotë se ke gabuar. Nëse e fal të shkurtuar, ka prej dijetarëve dhe fukahave që thonë se nuk është dashur me shkurtuar.
Po a e bashkon me ikindinë në këtë rast?
Për shembull, kam dalë në ora 12:00 prej shtëpisë, ka hyrë dreka, dhe e kam lënë me falë në aeroport. Kur shkoj në aeroport, e fal drekën, por nuk mundesh me bashkuar. Sepse dreka të është bërë obligim kur ke qenë në shtëpi.
Mirëpo, nëse nuk mundesh me e falë drekën derisa të jesh në aeroplan, dhe kur të zbresësh në vendin ku ke me shku, të arrin vetëm akshami, atëherë në këtë rast emergjent e fal ikindinë bashkë me drekë. Drekën e fal të plotë, jo të shkurtuar, dhe i bashkon.
Hoxhë Dr. RASIM HAXHA




