Pyetje: Ne e dimë hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ lidhur me të drejtat që një musliman ka ndaj një muslimani tjetër.

Pyetja ime është: A bëjmë mëkat nëse nuk e përmbushim njërën prej këtyre të drejtave ndaj vëllait tonë musliman? Domethënë, a ngarkohemi me mëkat për këtë?

Përgjigje: Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut:

A bëni mëkat nëse nuk përmbushni njërën prej të drejtave të një muslimani tjetër?

Të drejtat që një musliman ka ndaj një muslimani tjetër janë të shumta. Disa prej tyre janë detyrime individuale që kërkohen nga secili person dhe, nëse ai nuk i përmbush, bën mëkat. Të tjerat janë detyrime kolektive; nëse i përmbushin disa njerëz, barra e mëkatit hiqet nga të tjerët. Ndërsa disa janë vepra të pëlqyeshme, por jo të detyrueshme, prandaj muslimani nuk bën mëkat nëse nuk i kryen ato.

Sa të drejta ka një musliman ndaj një muslimani tjetër?

El-Buhariu (1240) dhe Muslimi (2162) transmetojnë se Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Të drejtat e një muslimani ndaj një muslimani tjetër janë pesë: kthimi i selamit, vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, pranimi i ftesës dhe thënia ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë) atij që teshtin.”

Muslimi (2162) transmeton nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Të drejtat e një muslimani ndaj një muslimani tjetër janë gjashtë.” I thanë: Cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: “Kur ta takosh, përshëndete me selam; kur të fton, pranoje ftesën; kur të kërkon këshillë, këshilloje sinqerisht; kur teshtin dhe e falënderon Allahun, thuaji ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë); kur sëmuret, vizitoje; dhe kur vdes, përcille xhenazen e tij.”

Esh-Sheukani (rahimehullah) ka thënë: “Ajo që nënkuptohet me fjalët ‘Të drejtat e muslimanit’ është se ato nuk duhet të lihen pa u përmbushur dhe kryerja e tyre është ose e detyrueshme, ose e pëlqyeshme në një shkallë aq të lartë saqë i ngjan shumë detyrimit dhe nuk duhet të lihet pas dore. Fjala ‘e drejtë’ (Haqq) mund të përdoret në kuptimin e detyrimit, siç e ka përmendur Ibnul-Arabiu.” (Nejlul-Eutar, 4/21)

[Kthimi i selamit](https://islamqa.info/en/answers/331767 “Kthimi i selamit duke thënë “Selam ue rahmetullah”) është i detyrueshëm nëse selami i jepet një personi. Nëse i jepet një grupi, atëherë është detyrim për grupin (Fard Kifaje, pra detyrim kolektiv; nëse njëri prej grupit e kthen selamin, detyrimi është përmbushur). Sa i përket dhënies së selamit i pari, parimi bazë është se kjo është e pëlqyeshme.

Në El-Meusuatu El-Fikhijje (11/314) thuhet:

“Dhënia e selamit është Sunet Mu’ekkede (Sunet i theksuar), sepse Profeti ﷺ ka thënë: ‘Përhapeni selamin ndërmjet jush.’ Kthimi i selamit është i detyrueshëm nëse ai i jepet një personi. Nëse selami i jepet një grupi, atëherë përgjigjja ndaj tij është Fard Kifaje (detyrim kolektiv); nëse njëri prej tyre përgjigjet, mëkati hiqet nga të tjerët, por nëse të gjithë përgjigjen, të gjithë e kanë përmbushur atë që kërkohet, qoftë nëse përgjigjen të gjithë njëkohësisht apo njëri pas tjetrit. Nëse të gjithë përmbahen nga përgjigjja, atëherë të gjithë bëjnë mëkat, për shkak të transmetimit që thotë: ‘Të drejtat e një muslimani ndaj një muslimani tjetër janë pesë: kthimi i selamit…’”

Vizita e të sëmurit është detyrim kolektiv.

Shejh Ibn Uthejmini (rahimehullah) ka thënë: “Vizita e të sëmurit është Fard Kifaje (detyrim kolektiv).” (Mexhmu’u Fetaua ue Resail Ibn Uthejmin, 13/1085)

Përcjellja e xhenazeve është gjithashtu Fard Kifaje (detyrim kolektiv).

Sa i përket pranimit të ftesave, nëse ftesa është për një dasmë, atëherë shumica e dijetarëve janë të mendimit se pranimi i saj është i detyrueshëm, përveç nëse ekziston një arsye e ligjshme sipas Sheriatit për të mos e pranuar. Nëse ftesa është për diçka tjetër dhe jo për një dasmë, shumica janë të mendimit se pranimi i saj është i pëlqyeshëm. Megjithatë, ekzistojnë kushte për pranimin e ftesave në përgjithësi.

Sa i përket thënies “JerhamukAllah” atij që teshtin, ka mospajtim rreth dispozitës së saj.

Në El-Meusuatu El-Fikhijje, 4/22, thuhet:

“Thënia ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë) është e pëlqyeshme sipas shafiive.

Sipas hanbelive dhe hanefive, ajo është e detyrueshme.

Malikitë kanë thënë, dhe ky është gjithashtu një mendim i hanbelive, se ajo është detyrim kolektiv. Është transmetuar nga El-Bejan se mendimi më i fortë është se ajo është detyrim individual (Fard ‘Ajn), për shkak të hadithit: ‘Është detyrë për çdo musliman që e dëgjon atë (personin që teshtin) t’i thotë: JerhamukAllah (Allahu të mëshiroftë).’

Mendimi më i saktë është se ajo është e detyrueshme për atë që e dëgjon personin që teshtin duke falënderuar Allahun (duke thënë ‘Elhamdulilah’), për shkak të transmetimit që e përcjell El-Buhariu (6223) nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë: ‘Allahu e pëlqen teshtitjen dhe nuk e pëlqen gogësimën. Prandaj, nëse ndonjëri prej jush teshtin dhe e falënderon Allahun (thotë ‘Elhamdulilah’), është detyrë për çdo musliman që e dëgjon të thotë: ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë).’”

Ibnul-Kajjimi (rahimehullah) ka thënë:

“Më sipër kemi cituar hadithin e Ebu Hurejrës, në të cilin thuhet: ‘Nëse ndonjëri prej jush teshtin dhe e falënderon Allahun (thotë ‘Elhamdulilah’), është detyrë (Haqq) për çdo musliman që e dëgjon t’i thotë: ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë).’ Et-Tirmidhiu e ka përfshirë hadithin e Enesit nën titullin: Kapitulli mbi atë që është transmetuar lidhur me detyrueshmërinë e thënies ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë), kur ai që teshtin thotë ‘Elhamdulilah’ (Falënderimi i takon Allahut). Kjo tregon se, sipas tij, ajo është e detyrueshme dhe ky është mendimi i saktë, për shkak të haditheve që tregojnë qartë se ajo është e detyrueshme dhe nuk ka asgjë që e kundërshton këtë. Allahu e di më së miri.

Njëri prej tyre është hadithi i Ebu Hurejrës i përmendur më sipër. Një tjetër është hadithi i tij tjetër: ‘Janë pesë (të drejta) që muslimani i ka ndaj vëllait të tij’, i cili gjithashtu është përmendur më sipër. Një tjetër është hadithi i Salim ibn Ubejd, në të cilin thuhet: ‘Ata që janë me të le t’i thonë: JerhamukAllah (Allahu të mëshiroftë).’ Një tjetër është transmetimi që përcillet nga Et-Tirmidhiu prej Aliut, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ‘Muslimani ka gjashtë të drejta ndaj muslimanit tjetër: ta përshëndesë me selam kur ta takojë; t’i përgjigjet kur e fton; t’i thotë ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë) kur teshtin; ta vizitojë kur sëmuret; ta përcjellë xhenazen e tij kur vdes; dhe të dëshirojë për të atë që dëshiron për veten e tij.’ Ai (Et-Tirmidhiu) ka thënë: Ky është hadith i mirë. Ai është transmetuar gjithashtu përmes një zinxhiri tjetër transmetimi nga Profeti ﷺ. Disa dijetarë kanë folur negativisht për El-Harith El-A’uerin (njërin prej transmetuesve). Në të njëjtin kapitull transmetohet gjithashtu nga Ebu Hurejra, Ebu Ejubi, El-Bera dhe Ebu Mes’udi. Një tjetër prej këtyre haditheve është ai që transmeton Et-Tirmidhiu nga Ebu Ejubi, sipas të cilit i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ‘Nëse ndonjëri prej jush teshtin, le të thotë: Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut), dhe le të thotë: ‘Ala kulli hal (në çdo gjendje). Ndërsa ai që i përgjigjet, le të thotë: JerhamukAllah (Allahu të mëshiroftë). Pastaj le të thotë: Jehdikumullahu ue juslihu balekum (Allahu ju udhëzoftë dhe jua përmirësoftë gjendjen).’

Ka katër lloje argumentesh në hadithin e cituar më sipër (‘Nëse ndonjëri prej jush teshtin dhe e falënderon Allahun (thotë ‘Elhamdulilah’), është detyrë (Haqq) për çdo musliman që e dëgjon t’i thotë: ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë)’):

Ka një shprehje të qartë se thënia ‘JerhamukAllah’ (Allahu të mëshiroftë) është e detyrueshme, e cila nuk mund të interpretohet në ndonjë mënyrë tjetër;

Ajo është bërë e detyrueshme përmes përdorimit të fjalës Haqq (e përkthyer më sipër si detyrë);

Ajo është bërë e detyrueshme përmes përdorimit të fjalës ‘Ala’ (mbi). Kjo fjalë tregon qartë se ajo është e detyrueshme;

Ajo është urdhëruar. Nuk ka dyshim se ka shumë detyra të cilat janë vërtetuar si të detyrueshme mbi bazën e argumenteve më të dobëta se këto. Allahu e di më së miri.” (Hashijetu Ibnul-Kajjim ala Sunen Ebi Davud, 13/259)

Ai (rahimehullah) ka thënë gjithashtu:

“Kuptimi i drejtpërdrejtë i hadithit të përmendur më sipër është se thënia ‘JerhamukAllah’ është detyrim individual për secilin që e dëgjon personin që teshtin duke thënë ‘Elhamdulilah’; nuk mjafton që vetëm njëri prej tyre ta thotë atë. Ky është njëri prej dy mendimeve të dijetarëve, të cilin e kanë parapëlqyer malikitë Ibn Ebi Zejdi dhe Ebu Bekr ibnul-Arabiu, dhe nuk mund të jetë ndryshe.” (Zadul-Mead, 2/437)

Sa i përket këshillimit të tij kur ai e kërkon këtë, ka shumë gjasa që ofrimi i këshillës të jetë detyrim kolektiv.

Ibn Muflihu (rahimehullah) ka thënë:

“Kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalëve të Ahmedit dhe dijetarëve tanë është se është e detyrueshme t’i jepet këshillë muslimanit, edhe nëse ai nuk e kërkon atë, siç tregon kuptimi i drejtpërdrejtë i transmetimeve.” (El-Adabul-Sher’ijje nga Ibn Muflihu, 1/307)

El-Mulla Ali El-Kari (rahimehullah) ka thënë:

“‘Nëse ai të kërkon këshillë’ do të thotë se nëse ai të kërkon këshillë, atëherë jepja atë; kjo është e detyrueshme. Është gjithashtu e detyrueshme të jepet këshillë edhe nëse ai nuk e ka kërkuar atë.” (Mirkatul-Mefatih, 5/213)

Ibn Haxheri (rahimehullah) ka thënë:

“Është e qartë se ajo që nënkuptohet me fjalën ‘detyrë’ (Haqq) këtu është se ajo është e detyrueshme. Kjo është ndryshe nga fjalët e Ibn Battalit, i cili ka thënë se ajo që nënkuptohet është detyra e respektit dhe e shoqërimit. Duket se ajo që nënkuptohet këtu është një detyrim kolektiv.” (Fet’hul-Bari, 3/113)

Për më shumë hollësi, shihni përgjigjet në vijim: 21878 dhe 65649.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamqa.info  / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net