Pyetja:
Jam diplomuar si farmacist dhe tani jam në Gjermani në studime të doktoraturës në shkencat mjekësore.
Në kuadër të punës së doktoraturës përfshihet edhe puna me kafshë laboratorike, përkatësisht me minj. Unë kam pyetur në lidhje me çështjen paraprakisht dhe jam munduar të lexoj edhe në internet, por megjithatë po frikësohem se nga dëshira për ta parë çështjen si të lejuar (kjo ka qenë përgjigjja që kam marrë), nuk e kam shqyrtuar sa duhet çështjen në detaje. E di që është çështje delikate dhe se përgjigjja është e vështire, sidomos meqë nuk e dini saktësisht se çka po nënkuptoj me “punë me kafshë”. Do t’ju isha falënderues nëse do të mund të më sugjeroni ndonjë literaturë ose ndonjë dijetar prej të cilit do të mund të lexoja më shumë në lidhje me këtë çështje.
Edhe nëse është e lejuar në parim, do të doja të dija më shumë detaje dhe të dija për limitet që duhet pasur kujdes.
***
Përgjigjja:
Me “punë me kafshë” po kuptoj se keni për qëllim me kafshët të cilat përdoren për eksperimente në laboratorë për qëllime të zgjerimit të njohurive rreth sëmundjeve të ndryshme, gjetjen e ndonjë ilaçi, etj.
Ndërsa për këtë temë kanë folur dijetarët bashkëkohorë dhe me aq njohuri sa kemi ne, e dimë se është e lejuar, madje edhe me kafshët që përmendni ju, sikurse minjtë apo edhe derrat. Ky mendim është shumë i njohur dhe i trajtuar.
Unë e kam parasysh kompleksivitetin dhe qasjen që dëshironi ta bëni në studimin tuaj, por fatkeqësisht në gjuhën shqipe nuk di se ka ndonjë libër që bën shtjellimin e kësaj problematike nga aspekti islam, kurse në gjuhën angleze ndoshta ka, prandaj hulumtoni përmes internetit apo ndonjë forme tjetër, por mund të supozoj se nuk do të gjeni ndonjë shkrim që e shtjellon çështjen shtruar.
Kurse të shkruajmë ne tani fatkeqësisht nuk do të mundemi, por ajo çfarë mund të bëjmë është që nëse keni ndonjë pyetje konkrete apo sqarim që ta kuptoni çështjen më mirë, atëherë na shkruani dhe do të mundohemi t’ju përgjigjemi.
Allahu e di më së miri!
Hoxhë Alaudin Abazi