Pyetja:

Jam një vajze, që jam tri vite e fejuar me një djalë, ku që të dy mundohemi të praktikojmë Islamin dhe duam që të martohemi këtë vit, mirëpo prindërit e mi nuk më lejojnë që të martohem me arsyetimin se nuk i kemi punët, mirëpo ne të dytë punojmë dhe jemi të pavarur, çfarë të bëj në këtë rast pasi nuk dua as ta shtyj martesën po as t’i lëndoj prindërit e nuk di se cili është vendimi më i drejtë, sepse kam frikë mos bëj gjynah me prindërit e mi apo me te fejuarin tim?.

***

Përgjigjja:

Vërtet qenka një periudhë bukur e gjatë që qenkeni fejuar, dhe siç dihet fejesa është parathënie e martesës, andaj edhe është gjithçka në rregull që të shqyrtohet çështja e martesës për ju në situatën të cilën e keni përmendur.

Pa i ditur rrethanat e tjera të mundshme në rastin tuaj, prindërit gabojnë nëse ju pengojnë për tu martuar me arsyetim të kushteve të dobëta, pasi ata mund të mos shpenzojnë shumë edhe sipas traditave tek ne, e sipas Islamit mund të mos shpenzojnë fare. Prindi duhet të nxitojë t’ia gjejë vajzës së tij, që është gati për martesë, bashkëshortin e drejt, fetar, të sinqertë e të moralshëm. E çfarë nëse ai vetëm e ka begenisur dhëndrin dhe jeni fejuar familjarisht qe tre vite, ndërsa tani ngurron të vendosë për martesën tuaj?!

Mendoj se tët baba ka nevojë të këshillohet nga dikush që është më i pjekur dhe t’i tregojë për rëndësinë e martesës ligjore të vajzës së tij, nëse ai thjesht ka pengesën e kushteve materiale. E nëse ai e prolongon martesën tuaj për arsye të tjera, e sidomos nëse nuk i pëlqen dhëndri, familja e tij, pozita e tij etj., atëherë ai është mirë të prononcohet për një gjë të tillë, e të mos ju zvarrisë në çështjen tuaj madhore.

Në anën tjetër, motër e nderuar, mundohu që mos ta përfundosh jetën tuaj në familjen atërore me zënka e mospajtime lidhur me martesën tuaj. Martesa herët apo vonë ndodh, kurse zënkat mbahen në mend tërë jetën. Prindërit tuaj, nëse nuk kanë arsye tjetër pos asaj që e kanë shfaqur, mund ta bëjnë atë gabim nga naiviteti për mërzinë që ju të largoheni nga gjiri familjar. Them nga naiviteti, sepse nuk është mërzi që ta përcjellësh vajzën për te bashkëshorti, pasi ky është rendi njerëzor në tokë, i vendosur nga Allahu, Krijuesi i gjithësisë. Megjithatë përkujtoni fjalët e Allahut lidhur me prindërit ku në Kur’an thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.” (Llukman: 14)

Po ashtu edhe i fejuari i juaj le të ketë mirëkuptim dhe mos të ngul këmbë që ta realizojë dëshirën dhe të drejtën e vet, duke të shkaktuar ty probleme dhe telashe në lidhjet e tua me më të dashurit tuaj, prindërit!

Nëse nuk keni bërë kurorën deri më tani me pëlqimin e prindit tuaj, keni parasysh se ai e ka fjalën për martesën tuaj dhe nuk ju lejohet që të martoheni pa pajtimin e tij.

Allahu ua lehtësoftë këtë brengë dhe i udhëzoftë prindit tuaj për ta kuptuar të Vërtetën dhe për t’i kuptuar detyrat e tyre karshi fëmijëve të tyre!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku